Një sinjal po “ngroh” zemrat e tifozëve të Formulës 1. Revista austriake “Oe24” ka folur së fundmi për një rikthim të mundshëm të Sebastian Fetelit në F1, pikërisht në radhët e Audit, skuadër që do të futet në kampionat në vend të Sauber, duke filluar nga viti 2026. Helmut Marko, i cili është në kontakt të ngushtë me katër herë kampionin e botës gjatë viteve të Red Bullit, konfirmoi se Fetel po konsideron një rikthim në pistë. Ardhja në Audi e teknikëve prestigjioz si Jonathan Wheatley dhe Mattia Binotto mund të ketë tërhequr vëmendjen e ish-ferraristit. Pa harruar se, për momentin, Audi ka dështuar në “gjuetinë” e një top-piloti. Rikthimi në Formula 1 i gjermanit, do të ishte një goditje e madhe për skuadrën e katër rrathëve.
Gara e fundit e Sebastian Fetelit në Formula 1 ishte Çmimi i Madh i Abu Dabit në vitin 2022. Një tërheqje emocionuese, që për shumë njerëz dukej përfundimtare. Por zërat për një rikthim të Fetelit nisën të qarkullonin shpejt, duke e lidhur gjermanin me ekipe të ndryshme. Audi mbetet një sugjerim për momentin, si të tjerët. Në skuadrën gjermane, eksperienca e Fetelit mund të jetë shumë e dobishme edhe për faktin se për momentin, pas nënshkrimit të Sainz me Uilliamsin, nuk ka top-pilotë të lirë. Në çdo rast, nëse Fetel dëshiron të kthehet në Formula 1, Audi duket si opsioni më i mirë për momentin. Në fakt, megjithëse ai ka një nga CV-të më të mira në qarkullim, është e vështirë të imagjinohet që një nga ekipet kryesore mund t’i ofrojë gjermanit një kontratë.
Në të njëjtën kohë, nuk ka gjasa që një ekip më i vogël të fokusohet në një pilot veteran si Fetel. Ndërsa Audi ndodhet në një pozicion të ndërmjetëm, pasi është një markë e madhe dhe ambicioze që do të zërë vendin e një ekipi modest në F1.Një kompani që nuk duhet të vështirësi për të përballuar rrogën e Fetelit dhe që ka nevojë për njohuritë dhe aftësitë e tij, nga çdo këndvështrim. Nga ana tjetër edhe për Fetelin (37-vjeç), ngritja e emrit të një marke nga Gjermania “e tij” mund të përfaqësojë një sfidë të denjë për t’u rikthyer në Formula 1. Tashmë mbetet për t’u parë nëse katër herë kamponi i botës do të rikthehet në kategorinë më të lartë të automobilizmit dhe nëse do ta rinisë nga një markë që futet me shumë ambicie në Formula 1, siç është Audi.