Lejimi i muzikës së lartë në lokalet e natës dhe diskot verore deri në orën 24.00 i penalizon së tepërmi këto të fundit. Në këto javë që përkojnë me pikun e sezonit turistik në Durrës, kufizimi i muzikës në zonat bregdetare është një minus i madh për subjektet private që operojnë në këtë fushë, si përsa i përket klientelës, ashtu edhe xhiros.

“Kemi hasur një problem shumë të madh me politikat e qeverisë, sepse muzika nis në orën 22.00-23.00 dhe 5 minuta pas mesnate policia vjen tek dera. Kemi hasur një barrierë shumë të madhe, sepse punojmë shumë me rezervime dhe tek rezervizimet pyetja e parë që bëhet është: Deri çfarë ore vazhdon muzika? Teorikisht ngrohja e atmosferës nis rreth orës 24.00, deri rreth orës 02.00 dhe kjo na ka penalizuar jashtë mase”,- thotë Enedi Bega, menaxher në njërin prej lounge bareve të njohura të Durrësit, që frekuentohet në masë të madhe nga të rinjtë.

Për subjektet që operojnë në zonën e Currilave dhe janë larg qendrave të banuara konsiderohet absurd vendimi për kufizimin e muzikës. Madje po konsiderojnë mundësinë për të vazhduar investimin, apo për ta mbyllur aktivitetin.

“Investitori është në dyshim nëse vitin tjetër të investojë më shumë apo ta stopojë këtu sepse shikon një ngërç. Nuk e di sesi do të vazhdojë, shpresoj të ketë ndryshim të këtyre ligjeve, përderisa në këtë zonë ku jemi ne, prej vitesh njihet si zonë turistike”,- thotë Bega.

Ligji “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, zbatimi i të cilit është kompetencë e Policisë së Shtetit, parashikon masa administrative 200 mijë – 400 mijë lekë, deri në mbylljen e përkohshme e subjektit, që shkel ligjin.

Në vijën bregdetare të Durrësit janë të shumta lokalet e natës apo diskot verore sezonale, që organizojnë festa me këngëtarë live apo DJ në ambiente të hapura. Për të huajt por edhe pushuesit vendas që popullojnë lokalet e natës, fikja e muzikës së lartë në mesnatë është një argëtim më pak në destinacionin që kanë zgjedhur për të kaluar pushimet.

M.B.