300 këngëtarë dhe valltarë nga 4 vende evropiane i dhanë alegri dhe gjallëri sheshit “Liria” në orët e vona të mbrëmjes.

Pjesëmarrës në edicionin e IV të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit, grupet nga Bullgaria, Polonia, Rumania dhe Ukraina shpalosën për artdashësit durrsakë dhe shumë turistë të huaj një program të pasur artistik, me këngë dhe valle nga folklori i tyre, por edhe muzika kontemporane.

Ky ishte edicioni i parë, që asnjë ansambël nga Shqipëria nuk merrte pjesë dhe sipas organizatorëve arsyeja ishte koha e pamjaftueshme.

“Këtë vit, ne nuk ftuam grupet shqiptare për shkak të kohës së limituar që kishim në dispozicion. Në edicionet e kaluara na kanë nderuar me praninë e tyre grupet folklorike shqiptare, si ansambli i Arjan Plakut, që kanë realizuar një performancë shumë të mirë”,- deklaroi organizatorja e festivalit Julia Tomachek.

Secili nga ansamblet folklorike pjesëmarrëse u paraqit para artdashësve në 3 disiplina të veçanta; këngë, valle folklorike dhe valle moderne.

Për artistët e rinj, pjesëmarrja në këtë festival mbarte në vetvete emocione të shumta.

“Jemi shumë të entusiazmuar nga prania në këtë festival. Do të prezantojmë kulturën tonë, jo vetëm nga rajoni nga vijmë, por nga e gjithë Bullgaria”, thotë përfaqësuesi i grupit folklorik nga Bullgaria.

Në përfundim, juria profesioniste e festivalit vlerësoi me çmimin e parë performancën e korit miks, ku interpretuan të gjithë këngëtarët e grupeve pjesëmarrëse në këtë event kulturor.

M.B.