Më 21 shtator, Durrësi do të hapë dyert për EA Festival – Freedom & Transformation (Liri dhe Transformim), një event ky që vjen për herë të parë në vendin tonë, në kuadër të Javës Kulturore Britanike.

Ndalesa e parë e festivalit do të jetë qyteti bregdetar, ndërsa më datë 22, festivali do të spostohet në kryeqytetin e vendit, Tiranë.

“Një festival idesh kuruar nga profesorja e nderuar Lea Ypi, shkrimtarja dhe filozofja durrsake me famë ndërkombëtare.

“Liri dhe Transformim” është një event dy ditor kulturor që zhvillohet në Durrës e Tiranë ku shkrimtarë, publicistë dhe mendimtarë do të diskutojnë mbi historinë, të drejtat e njeriut, çështjet e sigurisë dhe migracionit, politikën dhe poezinë”,- shkruan në rrjete sociale kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, në një postim dedikuar këtij eventi kulturor.

Ndërkohë, në faqen zyrtare të këtij festivali, eafestival.com, kuratorja Lea Ypi shpjegon disa nga arsyet se pse vendosi ta organizojë këtë festival të letërsisë në Shqipëri.

“Mendova se do të ishte e mrekullueshme të organizoja një event, që do të sillte në atdheun im disa nga autorët e mi të preferuar.

Kështu, thirra Joanne Ooi, themeluesen e një prej eventeve të mia të preferuara në Mbretërinë e Bashkuar, EA Festival, dhe e ftova të bashkohej me mua në prodhimin e një ekuivalenti shqip.

Rezultati është, “Liri dhe Transformim”, një fundjavë britaniko-shqiptare, që premton të jetë një festë e letërsisë, artit dhe fuqisë së tyre transformuese me disa nga mendimtarët kryesorë të botës. Ne donim që të vinin sa më shumë njerëz dhe kështu vendosëm ta zhvillonim në dy qytete, Tiranë (ku linda) dhe Durrës (ku u rrita). Kjo do t’u japë vizitorëve ndërkombëtarë një shans për të mësuar më shumë për Shqipërinë: një vend me një kulturë jashtëzakonisht të pasur, në kryqëzimin e Lindjes dhe Perëndimit, ku idetë janë përplasur shpesh në mënyrë tragjike dhe ku mësimet e historisë janë ende duke u përvetësuar”,- thotë ndër të tjera Ypi në mesazhin e saj si bashkë kuratore e eventit.