Sot është dita e dytë e regjistrimeve në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës për vitin e ri akademik 2024-2025, ku duket se interesi i studentëve të rinj paraqitet i lartë.

Të gjithë maturantët të cilët kanë fituar një ose disa degë nga dita e premte kur u hap raundi i parë, kishin 48 orë kohë në dispozicion për të bërë zgjedhjen e tyre: në programet e studimeve me karakter profesional, në programet e ciklit të parë të studimeve si dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë të studimeve për vitin akademik 2024-2025.

Që prej orës 08:00 të mëngjesit e deri në orën 16:00, sekretaritë mësimore të Fakulteteve përkatëse në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës janë dhe do të jenë çdo ditë në gadishmëri (përfshirë edhe fundjavat) duke ju mirëpritur për të kryer procesin e regjistrimit.”, thuhet në njoftimin e UAMD-së.

Gjithashtu për t’ju ardhur në ndihmë, në çdo godinë të UAMD-së do të gjeni këndet e informacionit për t’ju orientuar rreth procesit të aplikimit dhe dokumentacionit të nevojshëm.

Në godinën në Currila dhe në Kampusin Universitar, për të gjithë ata që nuk e kanë kryer paraprakisht pagesën e regjistrimit, janë vendosur në dispozicion dhe sportele të Postës Shqiptare që ofron shërbim dedikuar këtij procesi.

Lista e fituesve do ndryshojë çdo 48 orë. Sipas udhëzimeve të miratuara më herët nga Ministria e Arsimit, procesi i regjistrimit në raundin e parë do të zhvillohet në 7 faza 48-orëshe. Ç’ka do të thotë se lista e fituesve të këtij raundi do të ndryshojë shtatë herë, kjo në varësi të kuotave që do të mbeten të paplotësuara nga përfundimi i çdo faze regjistrimi.

Maturantët dhe kandidatët e tjerë që janë pjesë e listës së fituesve të fazës së parë të këtij raundi, duhet të tregohen të kujdesshëm me zbatimin e afateve të regjistrimit, pasi në të kundërt nuk mund të vijojnë studimet e larta edhe pse janë shpallur fitues në një program të caktuar.