Komisioni i Ligjeve ka nisur me debate ditën e sotme mes deputetëve lidhur me infrastrukturën në shkolla. Teksa sot ishte dhe dita e parë e vitit të ri shkollor, deputetja demokrate Dhurata Çupi u shpreh se arsimi në Shqipëri është në një krizë dhe një nga arsyet kryesore të uljes së numrit të nxëënsve është mungesa e investimeve nga ana e qeverisë.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të PS-së Jurgis Çyrbja, i cili i bëri ftesë koleges së tij dhe gjithë deputetëve të tjerë për të parë nga afër investimet në disa nga shkollat e reja të rindërtuara këto 5 vitet e fundit në Durrës, në njësitë administratve që ai mbulon si deputet në Ishëm dhe Manëz.
Pjesë nga debati:
Dhurata Çupi: Një urim për ditën e parë të shkollës, Zoti ju ndihmoftë në rrugën e dijes dhe aftësimit për veten dhe për vendin. Arsimi në Shqipëri është në një krizë dhe njjë nga simptomat më të qarta të kësaj krize është ulja alarmante e numrit të nxënësve që ndjekin shkollën. Arsyeja kryesore për këtë fenomen shqetësues është mungesa e investimeve.
Jurgis Çyrbja: Dua t’iu uroj të gjithë nxënësve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës një vit të mbarë shkollor dhe shumë suksese. Gjithashtu dua t’i bëj një ftesë koleges sime, Dhuratës, për sa i përket infrastrukturës në shkolla. Jeni e ftuar dhe e lutur të vini bashkë më mua dhe këdo tjetër që të shikojmë investimet dhe infrastrukturën që janë bërë në shkollat e Durrësit dhe po përmend disa prej tyre në zonat që unë përfaqësoj: Do ta nis me shkollën “Riza Shera”, shkolla “Zyber Sallaku”, shkolla e Shkafanes, shkolla e Maminasit “Kajo Karafili”, shkolla e Ishmit.
Janë të gjitha shkolla të rindërtuara të reja me kushte bashkëkohore. Ju ftoj me qetësi të vini t’i shikoni dhe të qartësoheni për ato shkolla. Punë të mbarë!
Pas përfundimit të mbledhjes që u shoqërua me tone të forta, Çyrbja ka bërë një reagim edhe në faqen e tij në “Facebook” ku thekson se është realitet i bukur transformimi deri në periferitë më të largëta, çka e vërteton çdo ditë në takimet në zonë.
“Ka një arsye të fortë pse NEVE na besojnë qytetarët, ndërkohë të tjerët bëhen çdo ditë e më shumë qesharakë! Kur ne flasim me Punë Të Finalizuara dhe të tjerët luten që zhvillimi i Shqipërisë të jetë një ëndërr e keqe për ta. Sepse për ne është një realitet i bukur që e vërtetojmë çdo ditë në takimet në zonë! Është zëri dhe vullneti i qytetarëve që dëgjohet më shumë se fjalët boshe dhe të turpshme të atyre që s’kanë sy për të parë transformimin dhe në periferitë më të largëta!”, shkruan ai.