13  vogëlushë nga Durrësi, të moshës 10- vjeçare, realizuan një performancë të shkëlqyer pak ditë më parë në Romë të Italisë, duke rrëmbyer dy çmime mjaft të rëndësishme. 

Nën drejtimin e koreografit Aldo Aliaj dhe të veshur me ngjyrat kuq e zi, valltarët e vegjël bënë për vete jurinë e kompeticionit ndërkombëtar Performer Cup Italy, ku merrnin pjesë 120 grupe nga e gjithë bota.

“Shqiponjat” e vogla që përfaqësuan Shqipërinë ia dolën të ishin mes më të mirëve.

“Ne morëm pjesë në fillim në konkursin në Shqipëri “Performer Cup”, ku fituam çmimin si grupi më i mirë dhe morëm pjesë në Itali për të përfaqësuar Shqipërinë. Atje ishte një super emocion, fëmijët ia dolën dhe fituam vendin e tretë si dhe çmimin special “Koreografia më e sinkronizuar”. Në kompeticion morën pjesë 120 grupe, nga të gjitha shtetet e botës dhe për ne është super krenari që fituam këto dy çmime”,– bën të ditur koreografi Aldo Aliaj.

Për valltarët e vegjël të hip hopit, përballja me rivalë nga e gjithë bota ishte sfiduese dhe njëkohësisht plot emocione të forta.

“Kishim shumë dëshirë të merrnim pjesë dhe u kënaqëm pa masë. Ishte akoma dhe më e bukur kur dolëm në finale dhe morëm vendin e tretë. Unë nuk kisha fare frikë as emocione, sepse nuk ishte hera e parë që dilja në skenë”,– thotë solistja e grupit Emili Merja.

Arritja e një suksesi të tillë është rezultat i një pune sistematike, por dhe një pasioni të madh për kërcimin. Pas kësaj fitoreje, i gjithë grupi së bashku me koreografin Aliaj janë në pritje të sfidës së ardhshme për të koleksionuar pse jo vlerësimet maksimale të radhës.

M.B.