Nga Dr. Bledar Kurti
(Alumni i Departamentit Amerikan të Shtetit)
Keni dëgjuar nga media se Trump apo Harris kryeson në sondazhe? Se amerikanët do votojnë më shumë për njërin apo tjetrin? Mos u besoni shumë sondazheve nëse nuk e njihni se si funksionon sistemi i zgjedhjes së Presidentit të SHBA. Nëse nuk e njihni këtë sistem, mos u shqetësoni, mos u ndjeni të paditur sepse shumica e botës nuk e di. E përse? Sepse është unik në glob dhe nuk ka asnjë shtet tjetër që i përafrohet.
Si fillim, amerikanët nuk votojnë drejtpërdrejtë për Presidentin. SHBA përbëhet nga 50 shtete, e secili shtet ka një numër të caktuar delegatësh në varësi të popullatës. Qytetarët votojnë për delegatët e më pas delegatët votojnë për Presidentin. Shteti me delegatët më të shumtë është Kalifornia. Me 54 të tillë. Partia që merr numrin më të madh të votave i merr të gjithë këta delegatë. Humbësi merr zero. Edhe pse mund të ketë marrë me miliona vota të qytetarëve. Kush merr Kaliforninë siguron më shumë kandidatë se sa kundërshtari që mund të fitojë 10 a më shumë shtete të tjera me numra të paktë delegatësh, si Alaska – 3, North Dakota – 3, South Dakota – 3, Delaware – 3, Vermont – 3, Idaho – 4, Hawaii – 4, Maine – 4, Montana – 4, Idaho – 4, New Hampshire – 4, Rhode Island – 4, etj.
Ky quhet Kolegj Zgjedhor. Që do të thotë që edhe nëse një kandidat për President merr më shumë vota në rang kombëtar nuk bëhet President sepse kundërshtari ka siguruar numrat e mjaftueshëm të delegatëve, që është mbi 270. 5 nga 46 presidentë u ulën në Shtëpimë e Bardhë edhe pse nuk fituan votën popullore kombëtare. Ndaj edhe sondazhet kombëtare nuk vlejnë aspak. Përdoren vetëm për të ndikuar te opinioni publik. Sondazhet e sakta që vlen të ndiqen janë brenda shteteve, jo te të gjitha pasi shtetet janë të pozicionuara tashmë në republikanë apo demokratë, por më saktësisht “swing states” ato që lëvizin nga njëra parti te tjetra. Për zgjedhjet e nëntorit 2024, këto shtete lëvizëse të votës konsiderohen Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, North Carolina, Pennsylvania, Wisconsin. Të marra së bashku këto shtete lëvizëse përbëjnë 93 vota të Kolegjit Zgjedhor. Këto janë përcaktueset e Presidentit të ardhshëm.
Konfuz? A po mendon se Kolegji Zgjedhor duhet hequr?
Janë bërë shumë përpjekje ndër dekada për heqjen e Kolegjit Zgjedhor, e madje ka ndodhur që është aprovuar në Dhomën e Përfaqësuesve por është rrëzuar në Senat. Arsyeja është e thjeshtë. Ky sistem ka funksionuar më së miri për afro dy shekuj e gjysmë. Demokratët kërkojnë ta heqin, Republikanët ta ruajnë, por nuk është zhbërë pasi ka funksionuar e mbi të gjitha ruan pavarësinë e çdo shteti të SHBA, ruan moton “E Pluribus Unum” – Nga shumë një. 50 shtete me autonominë e tyre e megjithatë një.
Etërit amerikanë ishin njerëz tejet të zgjuar e vizionarë. Ata ngritën një sistem balancash midis shteteve të SHBA dhe qeverisë federale, dhe krijuan filtra që mbrojnë popullin nga qeveria por edhe qeverinë nga populli. Ata krijuan një shtet Republikë e jo Demokraci ku shumica sundon. Një temë që do e shtjelloj në një shkrim të mëvonshëm.
Por ajo që duhet theksuar është që çdo sistem që siguron balanca të pushtetit funksionon. Çdo sistem që forcon pushtetin e një individi është i destinuar të dështojë.