Shumë hapësira publike të qytetit të Durrësit dhe site historike janë kthyer në ekspozita në qiell të hapur, pasi aty janë ekspozuar disa nga veprat e artistëve pjesëmarrës në edicionin e parë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor.
Tashmë kur numërimi mbrapsht i ditës së hapjes së edicionit të parë po shkon drejt finishit, të gjitha hapësirat publike dhe institucioet ku do të vendosen pavionet e shteteve pjesëmarrëse po kompletohen me veprat e 40 artistëve nga 17 vende të botës.
Sot paradite, pranë shatërvanit në sheshin “Liria” janë vendosur dy obeliske të skulptorit të mirënjohur durrsak Qazim Kërtusha. Vepra e Kërtushës titullohet “Pushteti i parasë” dhe është ideuar për t’u vendosur në hapësira urbane, parqe apo sheshe.
Ndërsa në një nga ambientet e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” janë ekspozuar veprat e artistëve amerikanë Gregory De La Haba dhe [dNASAb] dhe artistit durrsak Elio Bajramaj.
Ashtu siç duket qartë edhe në pamjet filmike që “DurrësLajm” ka filmuar në këtë pavion të bienales artistët kontemporanë, përmes fuqisë së artit të tyre, dëshirojnë të ndërgjegjësojnë këdo, mbi zhvillimet e shpejta teknologjike dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që tekonologjia e përparuar ka në jetën e përditshme të secilit prej nesh.
E pikërisht, ndikimi i Inteligjencës Artificiale në jetën është pasqyruar edhe në instalacionin e artistit durrsak Sadik Spahija, që sapo mbaroi së vendosuri në sheshin qendror të Durrësit.
“Inteligjenca artificiale del kundër natyrës dhe normales”,– thotë Spahija, e këtë mundohet ta shprehë edhe përmes artit të tij.
Edicioni i parë i Bienales nis më 5 tetor me ceremoninë hapëse që do të mbahet në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, për të vijuar më pas nga 6 tetori deri më 24 nëntor që do të jetë e hapur për publikun e gjerë.
Ky edicion ka si qëllim shpërfaqjen dhe spikatjen e vlerave artistike të së tashmes tonë nëpërmjet qasjes konceptuale dhe filozofike të artistëve bashkëkohor mbi temën: “Inteligjenca artificiale: e ardhmja hibride”.
Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohore të Durrësit kërkon, jo vetëm të bëjë bashkë qasje filozofike, konceptuale, antropologjike, semiotike dhe artistë nga kombe të ndryshme, por mbi të gjitha kërkon të hulumtojë të pakdukshmen metafizike, atë që vetëm inteligjenca artificiale mund ta depërtojë e për rrjedhojë ta parashikojë, duke vendosur në teh të mëdyshjes të ardhmen hibride të njerëzimit.
M.B.