Orkestra frymore e Durrësit prezantoi pasditen e së hënës uniformat e reja, të cilat janë konceptuar për të sjellë një imazh të ri të bandës së qytetit.

Në uniformë dominojnë bluja, lejlaja dhe ngjyra e artë, e cila është përdorur kryesisht tek detajet që kompletojnë veshjen, si simbolet kombëtare apo unstrumenti i harpës dhe logoja e bashkisë Durrës.

“Menduam të zgjidhnim ngjyra pak më bashkëkohore sesa ato që kanë qenë në uniformat e mëparshme. Gjithsesi u jemi përmbajtur ngjyrave aktuale, siç është bluja e kostumeve.

Por u kemi dhënë një stilizim ndryshe, me elementë të veçantë. Jemi munduar të fusim motivet tona, jemi frymëzuar shumë nga ornamentet e qilimave të hershëm, si dhe kemi vënë logon e bandës në jakën e kostumit dhe në kollare”, thotë për “DurrësLajm” kostumografia Iliriana Zahiri.

“Shpresojmë që uniforma e re të na sjellë fat dhe sa më shumë koncerte për të mirën e qytetit dhe për të zbukuruar sa më shumë jetën artistike të Durrësit”,– shton drejtuesi i Orkestrës Frymore Saimir Kalaja.

Prezantimi i uniformave të reja u bë gjatë një parade në sheshin “Liria” të Durrësit, por edhe gjatë koncertit që Orkestra Frymore dha së bashku me kolegët e tyre italianë të Bandës Sinfonike Mousike në sallën e teatrit.

Pjesë e bandës së qytetit, prej 15 vitesh, është e vetmja anëtare femër e saj, Xhejsi Kalziqi. E rrethuar nga kolegët e saj meshkuj, ajo është ndjerë përherë e privilegjuar, si pjesë e Orlestrës Frymore.

“Kam qenë e vetmja femër në bandën e Durrësit dhe ndihem shumë e privilegjuar. Nuk kam asnjë lloj kompleksi dhe ndihem shumë e mirëpritur nga kolegët e mi”,– tregon Xhejsi.

Tashmë që audicionet për instrmentistë të rinj që duan t’i bashkohen bandës frymore janë të hapura, Xhejsi ka një apel drejtuar atyre, sidomos instrumentisteve femra.

“Audicionet janë hapur dhe i bëj thirrje që të gjithë flautistëve, instrumentistëve që të vijnë dhe të marrin pjesë në audicione. Sa më tepër aq më mirë. Bashkimi bën fuqinë”,– thotë ajo.

M.B.