*Mbetet e çuditshme sesi bashkëpatriotët tanë harxhojnë shifra jo të pakta, për të parë ndeshje futbolli nëpër botë, të stolisur me flamuj, por tuten kur vjen fjala për t’u bërë bashkë me një qëllim edhe më të rëndësishëm, siç është nxjerrja në pah e vlerave të rëndësishme të trashëgimisë sonë të përbashkët historike.

Qyteti i Durrësit, qendra më e madhe arkeologjike e Shqipërisë, aktualisht paraqet një mangësi të madhe në ekspozimin e monumenteve arkeologjiko-historike të zbuluara në të ndër dekada. Me përjashtim të një pjesë të amfiteatrit, linjës jugperëndimore të fortifikimeve antike të vona, dhe forumit bizantin, në qytet nuk janë lirishëm të vizitueshëm monumente të tjera. Edhe më shumë ndihet kjo mungesë përsa i takon një grupi të veçantë monumentesh: mozaikëve. Aktualisht, ndër 12 mozaikët e qytetit vetëm mozaiku i kapelës së amfiteatrit është i shikueshëm nga vizitorët. Asnjë mozaik tjetër në qytet nuk mund të vizitohet.

Ndër të gjithë mozaikët e zbuluar në qytetin e Durrësit bën dallim për nga cilësia e lartë e realizimit mozaiku i Orfeut (Fig. 1). Ai është shpalluar Monument Kulture i kategorisë së parë me urdhër nr. 22, dt. 18/01/2010 të Ministrit të Kulturës.

Ky mozaik polikrom, pjesërisht i gërmuar, gjendet në bodrumin e një banese njëkatëshe. Bëhet fjalë për tre sipërfaqe mozaiku (dy pranë njëri-tjetrit, i treti paksa më larg), të zbuluara në thellësinë 0,86 m, pjesë dyshemesh të një banese antike.

Dy sipërfaqet e para kanë ngjashmëri motivesh, që i bën pjesë të një koncepti dekorues. Tapeti qendror ishte i rrethuar nga një brez i gjerë anësor, krijuar me ndërthurje motivesh të ndryshme. Motivi i gërshetit me dy shirita, mbi sfond te zi, gjarpëronte në të gjithë brezin, duke kufizuar disa hapësira në formë gjashtëkëndëshi apo trapezoidi. Brenda këtyre formave gjeometrike, në një sfond të bardhë, krijohen të tjera figura gjeometrike dhe floreale, si yje të formuar nga dy trekëndësha, alternuar me rombe dhe trekëndësha dhe në brendësi motive vegjetale.

Figura 2

Pjesa qendrore e mozaikut është një kompozim kompleks motivesh gjeometrike dhe floreale, mbi një sfond të bardhë. Motivi bazë është në formën e një ylli të krijuar nga tetë rombe të bashkuar në një pikë qendrore. Në hapësirat që krijoheshin janë kompozuar motive floreale me linja të harkuara, si përdredhëse rrushi që dilnin nga një trup hardhie.

Pjesa tjetër e mozaikut paraqet imazhe figurative, dëshmi se i takonte një ambjenti të ndryshëm nga mozaiku i mësipërm. Skena e zbuluar ka përmasa 90×57 cm. Kompozimi i mozaikut kufizohet nga një brez anësor krijuar me pesë rreshta, të zbukuruar me motive të ndryshme gjeometrike. Pjesa qendrore e mozaikut paraqet një kompozim me disa figura (Fig. 2-3). Imazhi kryesor është një figurë njerëzore paraqitur si një djalosh i ri, tek qëndron i ulur. Qëndrimi i tij jepet ëndërrimtar, me trupin e kthyer djathtas në tre-të-katërtat, ndërsa kokën e rrotulluar në krah të kundërt, të mbështetur në dorën e djathtë, me pamje të ngritur lart dhe të përhumbur në mendime. Ka fytyrë të rrumbullakët, flokë të gjatë që i varen nga pas, dhe mban një kapele të tipit frigjian. Pas tij zhvillohet një skenë bukolike, e krijuar me disa figura. Pranë një peme qëndrojnë dy viça, njëri i shtrirë, kurse tjetri nga pas në ecje. Një cjap me dy gjymtyrët e para të mbështetura tek trungu i pemës përpiqet të ushqehet me gjethe. Në degët e pemës qëndron një zog.

Datimet e dhëna për këto skena ndryshojnë nga një botim tek tjetri. Sipas studiuesve motivet me rombe të alternuara me kuadrate janë marrë si koncepte nga zbukurimet në stuko dhe gur, duke u përdorur që nga shek. I e.s. në Itali dhe më pas u përhapën në provinca. Moikom Zeqo e ka datuar fillimisht në fundin e shek. III – fillimi shek. IV e.s., e më pas në shek. IV-V e.s. Të tjerë studiues, bazuar tek korniza e gjerë me motive gjeometrike dhe floreale e polikromia e mozaikut, e datojnë në shek. III e.s., që duket më bindëse.

Figura 1

Mozaiku është zbuluar në bodrumin e një banese njëkatëshe, në lagjen nr. 9. Rrotull ka banesa të tjera, kryesisht njëkatëshe, ku duhet hamendësuar se vazhdon ndërtesa antike. Megjithatë, deri më sot nuk ka pasur njoftime për gjetje të tjera, që mund të konsiderohet normale për Durrësin.

Ndër vite arkeologët dhe konservatorët kanë kërkuar publikisht apo brenda institucioneve pjesë e të cilave ishin e janë, që të realizohej blerja e banesës nga shteti shqiptar. Më pas, me shtetëzimin e banesës të fillonte gërmimi arkeologjik për të nxjerrë të gjithë mozaikun që ruhet aty. Do të kishim kështu një monument të ri dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm për trashëgiminë shqiptare, e cila do të ishte e vizitueshme për publikun e gjerë.

Deri më sot nuk ka pasur asnjë përçapje reale nga asnjë institucion shtetëror. Për këto arsye, ndërmorëm një tjetër përpjekje së fundmi, duke propozuar blerjen e kësaj banese. Në mungesë të ndonjë reagimi, menduam se mund të gjenim ndihmën e diasporës shqiptare në botë, veçanërisht asaj në ShBA. Çuditërisht, as edhe një reagim nuk kemi pasur deri më tani. Mbetet e çuditshme sesi bashkëpatriotët tanë harxhojnë shifra jo të pakta, për të parë ndeshje futbolli nëpër botë, të stolisur me flamuj, por tuten kur vjen fjala për t’u bërë bashkë me një qëllim edhe më të rëndësishëm, siç është nxjerrja në pah e vlerave të rëndësishme të trashëgimisë sonë të përbashkët historike. Ndoshta, pas botimit të këtij shkrimi të shkurtër, mund edhe të ketë lëvizje, të institucioneve shtetërore apo edhe të shoqatave e organizatave shqiptare. Deri më atëherë, uroj e shpresoj që mozaiku të jetë ‘gjall e shnosh’. /Reporter.al