Muzikantë, këngëtarë dhe artistë durrsakë u mblodhën mbrëmjen e djeshme në aktivitetin kulturor “Sofra Durrsake”, i organizuar për herë të parë nga këngëtari i mirënjohur i muzikës popullore Ylli Çifti.

Qyteti i Durrësit ka qenë gjithmonë djep i kulturës, prandaj ky aktivitet synoi të evidentojë dhe të përcjellë këtë traditë dedikuar muzikës së vjetër durrsake.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin anëtarë të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës, si dhe përfaqësues të shoqatës “Durrësi Autokton”.

Kreu i Shoqatës “Durrësi Autokton,” Abudulla Deliallisi dhe sekretarja Eda Harizi vlerësuan me titullin “Mirënjohje e Qytetit të Durrësit” 7 prej këngëtarëve: Ylli Çiftin, Dhimitër Stefa, Julieta Strefi, Violeta Beshiri, Dashamir Xhamuça, Lorenc Barometa dhe Naim Kërçuku me motivacionin: Për kontributin e çmuar në skenën muzikore të Durrësit dhe më gjërë, duke mbajtur gjallë traditat dhe frymëzuar breza të tërë plot përkushtim dhe pasurimin në jetën kulturore të qytetit të Durrësit

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm dhe artistët, muzikantë e kompozitore të shquar si Ermir Dizdari dhe Ylli Ramzoti që e vlerëuan këtë aktivitet me vlera të rralla dhe me shpresën qe t’i hapë rrugë një tradite të vyer si kjo.