Për dy ditë me radhë, me dhjetëra adoleshentë dhe të rinj të Durrësit, të apasionuar pas muzikës dhe këngës, u bënë pjesë e audicioneve të hapura, të cilat u organizuan nga Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu”.
Koncerti festiv i festave të nëntorit do të vijë i gjithi në shqip, prandaj organizatorët kanë menduar t’u japin një shans për të qenë pjesë e tij të gjithë të rinjve të qytetit.
“Këtë herë vendosëm të mos i kufizonim, por t’i bënim audicionet e hapura për t’i dhënë të drejtë jo vetëm gjimnazistëve, por edhe atyre që kanë përfunduar ciklin e gjimnazit, janë në universitet, apo dhe atyre që janë në klasë të nëntë. Në audicione kemi përfshirë fashën e moshës nga 13-25 vjeç, sepse nganjëherë ndodh që një talent të mos evidentohet për arsye të ndryshme, prandaj pse të mos i testojmë”,- thotë organizatrja Olta Juba për “DurrësLajm”.
Dy binjaket Agona dhe Geora Katundsi kanë vite që janë shkëputur nga të kënduarit dhe shërbeu ky audicion i hapur për t’u rikthyer sërish në skenë para publikut durrsak. Emocionet janë të shumta, edhe për faktin se këngët që do të interpretojnë nuk përfshihen në repertorin që ato dëgjojnë apo këndojnë rregullisht.
Nga audicionet e hapura do të përzgjidhen 30-40 të rinj për të qenë pjesë e korit që do të shoqërojë Orkestrën Frymore të Durrësit dhe 6 solistët që do të ngjiten në skenë.
Mes konkurentëve pjesëmarrës në audicion kishte dhe të reja që me skenën dhe publikun janë familjarizuar tashmë.
“Unë do të paraqitem me këngën “Shqipëri o vendi im” e kënduar nga Alma Bektashi. Vështirësia nuk mendoj se do të jetë e madhe, emocionet janë gjithnjë, por me skenën dhe publikun jam mësuar”,- tregon konkurentja Adea Xhaferri.
Konkurentët fitues u përzgjodhën nga juria profesioniste dhe gjatë këtyre javëve do të kenë mundësi të bëjnë prova intensive me profesionistë të muzikës dhe kantos.
M.B.