Edhe ditën e sotme anija “Moliva” me 102 kontenjerë me mbetje të dyshuara të rrezikshme do të qëndrojë e ankoruar në radën e portit të Durrësit.
Autoriteti Portual nuk ka dhënë ende leje për futjen e kësaj anijeje që prej më shumë se 24 orësh qëndron rreth 1.5 km larg portit nga ku u nis në muajin korrik të këtij viti.
“DurrësLajm” mëson se APD ka lejuar ankorimin në kalatën e kontenjerëve të anijes “Rijnborg” që vjen nga Pireu. Ndërkohë për anijen “Moliva” nuk ka end një njoftim zyrtar mbi fatin e saj të mëtejshëm.
Ditën e djeshme, Prokuroria e Durrësit vendosi sekuestrimin e kontenjerëve dhe urdhëroi një sërë institucionesh vendore që të mbikqyrin rreptësisht depozitimin e mbetjeve në një vend të sigurt.
Në një deklaratë për mediat, Jim Pocket, drejtor i rrjetit të Bazelit, përshëndeti vendimin e prokurorisë dhe kërkoi transparencë në hapjen e 102 kontenjerëve.
Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, u nis nga porti i Durrësit në korrik të këtij viti dhe kishte si destinacion Tajlandën e cila e refuzoi ngarkesën pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’.