Ndeshja Partizani-Teuta, e mbyllur me shifrat 1-1 nisi me një moment të veçantë për presidentin Demi, vijoi me Martinin si të dënuar “VIP” dhe u mbyll me sherr në hyrje të tunelit.

* Hasanbelliu bëhet pjesë e një momenti jubilar për presidentin Demi. Ai festoi ndeshjen numër 500 si president i Partizanit, që nga viti 2013. Hasanbelliu dhe Demi pozuan me fanellën me numrin 500 në duar.

*Më pas, presidenti i Teutës, vjen ne stadium rreth 30 minuta para startit të ndeshjes. Ai preferon ta shohë sfidën jo në tribunë apo në barin e stadiumit, por në pjesën private të impiantit, ku zakonisht qëndron edhe presidenti Demi. Përveç këtij të fundit, atje u panë edhe drejtuesit e tjerë të kuq.

* Trajneri i Teutës, Edi Martini, nuk ishte i pranishëm në pankinë për shkak të skualifikimit prej kartonit të kuq të ndeshjes së shkuar. Por kjo nuk e pengoi shkodranin që ta ndiqte ndeshjen i ulur në rreshtin e parë të tribunës “VIP”, vetëm 4-5 metra larg pankinës blu, çka përbën një precedent më vete, pasi nga ajo distancë ai mund të komunikonte lehtësisht me gjithë pankinën. Shpesh gjatë ndeshjes ai jep direktiva ndaj lojtarëve dhe në një moment tregohet kritik në thirrjet e tij nga ulësja e tij “VIP”. Pakënaqësinë e kishte me mbrojtësin Kruja.

* Mbrojtësi i Partizanit, Sembene, ka një problem me fanellën në minutën e 40-të dhe shfrytëzon rastin për ta ndërruar në një moment pauze.

* Mungesa e madhe e kësaj ndeshjeje te Teuta, Simeu, e ndjek sfidën nga bari i stadiumit. Ai tregohet shumë i shoqërueshëm edhe me tifozët, ku nuk mungojnë të qeshurat dhe batutat.

* Zeka zëvendësohet në të 74-ën, por e merr me qetësi momentin e daljes nga fusha. Jazxhi shkon dhe e merr për krahësh dhe me pak të shtyrë për ta bërë të nxitojë. Ndërhyn më pas kryesori Doda.

* Te momenti i penalltisë së Llocit, Martini zgjedh të mos e shikojë penalltinë nga emocionet dhe kokën me kapuç. Pasi 11-metërshi u shënua, trajneri shpërtheu me një festë.

* Pas ndeshjes ka përplasje në fushë, që vazhdon edhe në dhomat e zhveshjes. Për disa sekonda në hyrjen e tunelit krijohet kaos dhe përleshje mes lojtarëve, aq sa në tunel futen forcat Shqiponja. Nga kamerat e sigurisë shihet një nga pjesëtarët e klubit të Teutës, që pret Sembene në hyrje të dhomave të zhveshjes dhe e sulmon fizikisht. Më pas krijohet një rrëmujë e madhe, që fatmirësisht nuk përshkallëzohet në dhunë. Nga ajo që gazeta mësoi, personi që sulmoi ishte pjesëtar i stafit të Vllaznisë, teksa emri u mbajt sekret.

* Pas fundit të ndeshjes, arbitri i “VAR”-it, Eldorjan Hamiti, hyn në dhomat e zhveshjes, teksa në këtë moment disa nga fëmijët i kërkojnë llogari për penalltinë e dhënë. Ai e merr me sportivitet dhe nuk i kursen batutat me ta.