Një vrasje në teatër është pikënisja e gjithë strumbullarit të ngjarjeve që zhvillohen në komedinë satirike “Krimi është vetëm i imi”.

Pjesa teatrale u vu mbrëmë në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” duke krijuar plot situata me humor dhe të qeshura për publikun, që kishte mbushur plot e përplot sallën.

Komedia me regji të Driada Dervishit i përngjet në miniaturë copëzave nga aktualiteti shqiptar.

Komedia është një bashkëpunim i suksesshëm mes trupave teatrore të Shkodrës, Tiranës dhe Durrësit. 

Aktori i njohur i humorit Besnik Cinari rikthehet në qytetin bregdetar pas 50 vitesh mungesë, ndërsa për Neritan Liçaj skena e Durrësit mbart gjithnjë emocion, megjithëse prezenca e tij është e shpeshtë në teatrin e qytetit bregdetar.

Komedia “Krimi është vetëm i imi” ngjitet edhe natën e sotme në skenë, ndërkohë që të gjitha biletat janë të shitura.

M.B.