Bashkia Durrës po planifikon ngritjen e qendrës për trajtimin e kafshëve të rrugës.
Në qytetin bregdetar ka qenë shqetësim i vazhdueshëm ndër vite prania e kafshëve endacake në rrugë dhe lagje, por edhe në zona mjaft të frekuentuara nga vendasit dhe turistët.
Për të gjetur zgjidhje për këtë problematikë të mbartur ndër vite, ku shumë qytetarë janë kafshuar nga qente e rrugës, pushteti vendor ka akorduar shumën rreth 16 milionë lekë për ndërtimin e kësaj qendre.
Tenderi është zhvilluar tashmë dhe pritet që komisioni të shpallë firmën fituese, që do të zbatojë projektin. Ndërtimi i qendrës pritet të realizohet brenda një periudhe 6 mujore.
Po ku do të ndërtohet kjo qendër?
“DurrësLajm” mëson se qendra për strehimin dhe trajtimin e kafshëve të rrugës është planifikuar të ngrihet në pasurinë me nr. 101/2, zona kadastrale 3541, në Njësinë Administrative Katund i Ri.
Qendra do të ketë një sipërfaqe prej 1664 m2, ku struktura e mbyllur do të jetë rreth 105 metër2 dhe do të jetë e pajisur me sallën e operimit, laboratorin e analizave, kafazet e mbyllura etj.
Bashkia Durrës bën të ditur se kjo qendër do të ketë funksion të dyfishtë; 1) Trajtimi i kafshëve sipas nevojave për ndërhyrjet që ata kanë, si sëmundje apo dëmtime ndaj incidenteve dhe 2) Strehimi i kafsheve, për një periudhe të caktuar, ku duhet të sigurohet mirëqenia e tyre përgjatë gjithë kohës së qëndrimit.
Godina e mbyllur do të jetë konstruksion tra- kolonë, me mbulesë me çati me tjegulla, ndërsa kafazet janë realizuar pjesërisht me mure, pjesërisht me rrjetë dhe me mbulesë me llamarinë.
Ndërkohë, hapësirat e tjera të qendrës do të jenë të hapura dhe do të jenë të siguruara me rrjetë teli dhe me mur.
Brenda kësaj parcele janë parashikuar hapësira të lira për parkim, sistemim me gjelbërim, hapësira të shtruara me zhavorr.
M.B.