Seanca gjyqësore për ish-deputetin Jurgis Çyrbja po mbahet këtë të premte në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion.
Prokurorët e Posaçëm do të marrin dëshminë e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja, i cili dyshohet për korrupsion në zgjedhje, tregtim të sekretit shtetëror e përkrahje të autorit të krimit.
Seanca po mbahet me dyer të mbyllur.
Nga zbërthimi i bisedave në SKY ECC, u zbulua se në favor të votave për t’u zgjedhur si deputet në qarkun Durrës në zgjedhjet e vitit 2021, Çyrbja, informonte bosë të krimit për operacionet policore me qëllim që ata të mos arrestoheshin.
Ndërkohë që Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekici, i cili u ekzekutua në 2021 dhe Altin Hajri, i shumëkërkuar për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës kanë ndikuar sipas SPAK pranë zyrtarëve socialistë që emri i Çyrbjas të ishte në listë të sigurt për deputet.
Ish-deputeti do të japë shpjegime se kush e propozoi emrin e tij për deputet dhe në ç’mënyrë i siguroi dokumentet sekrete që ua shpërndante njerëzve të krimit.