35 fëmijë të moshës 10-15-vjeç ishin protagonistë të ekspozitës “Ilustrimi më i bukur i kopertinës”, të hapur në Kullën Veneciane në fundjavë.
Artistët e vegjël kishin për detyrë të krijonin kopertina për disa nga përrallat më të bukura, që i kanë shoqëruar dhe vazhdojnë t’i shoqërojnë gjatë fëmijërisë së tyre.
“Kalendari i ëndrrave të mollës”, “Liza në botën e çudirave”, “Kësulëkuqja”, “Pinoku” dhe “Rosaku i shëmtuar” ishin përrallat për të cilat vogëlushët kanë punuar për javë të tëra për të ideuar dhe realizuar kopertinat respektive.
Ajo që e bëri këtë ekspozitë edhe më të veçantë ishte prania e autores së shumë librave për fëmijë Natasha Shuteriqi Porocani, e cila u foli të gjithë piktorëve të vegjël për rëndësinë e librit dhe procesit të të lexuarit në formimin e tyre.
Ndërsa piktorja Alketa Tragaj Myshketa gjatë fjalës së saj, ndërsa përgëzoi të gjithë fëmijët për impenjimin e tyre dhe pikturat e realizuara me mjaft mjeshtëri nënvizoi ndër të tjera se “nëpërmjet ilustrimit të librave fëmijët mësojnë të jenë kreativë dhe të përjetojnë emocionet e personazheve”.
Njëkohësisht ajo tha se “nëpërmjet kësaj ekspozite sot treguam që, vizatimet e bukura ndihmojnë në të kuptuarit e historisë duke i bërë ato më të qarta dhe më tërheqëse, duke nxjerrë në pah rëndësinë e bashkëpunimit me njeri-tjetrin.”
Në fund të aktivitetit, të gjithë piktorëve të vegjël pjesëmarrës iu akorduan çertifikata mirënjohjeje.