Ujësjellës Kanalizime Rajoni Durrës dhe bashkia e Shijakut po punojnë paralelisht për shtrimin dhe asfaltimin e disa rrugëve në fshatin Ardhishtë të kësaj bashkie. 66 milion lekë ka vënë në dispozicion kjo bashki për të sistemuar rrugët, të cilat nuk kanë qenë më parë të shtruara me asfalt.
Paralelisht me këtë investim, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës po punon për vendosjen e linjës së re të furnizimit me ujë, pasi linja e vjetër ishte tejet e amortizuar. Banorët e këtij fshati e vlerësojnë investimin, si të bashkisë, ashtu edhe të ujësjellësit.
Burime nga Shoqëria Rajonale UKD bënë të ditur se me fondet e veta ndërmarrja po shtrin 1100 metër linear tubacion të ri 63-75 mm, i cili përmirëson furnizimin e zonës me ujë. Ky proces pune po kryhet në këtë kohë në mënyrë që të mos dëmtohet rruga në të ardhmen për të hapur kanalizime të reja. Shtrirja e tubacionit të ri përfundon brenda pak ditësh, ndërsa investimi i bashkisë është llogaritur të kryhet për 5 muaj.