Në prag të festave kombëtare të 28-29 nëntorit, shkolla e mesme artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës dha një koncert festiv në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Ashtu siç është bërë traditë tashmë, shkolla e vetme në bashkinë Durrës që nxjerr çdo vit nga bankat e saj dhjetëra instrumentistë dhe artistë të rinj të artit pamor konkretizoi me koncertin “Shqipëri, lulëkuqe gjaku” përgatitjet disa javore në ambientet e shkollës.
Orkestra e saj me drejtues artistik Orges Memën sollën për të pranishmit disa nga pjesët më të mira muzikore me motive patriotike të repertorit shqiptar.
Në skenën e veshur me ngjyrat kuqezi, performancat e artistëve të rinj, duke nisur nga nxënësit e ciklit fillor deri tek gjimnazistët e vitit të fundit të kësaj shkolle u duartrokitën nga të gjithë të pranishmit.