Një 41-vjeçar nga qyteti i Durrësit është arrestuar, pasi ishte shpallur në kërkim nga efektivat policore për armëmbajtje pa leje dhe trafik të lëndëve narkotike. Në kuadër të operacionit të koduar “Double”, policia arrestoi shtetasin me iniciale D.M 41 vjec.

Më poshtë njoftimi i policisë:

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Double”.

I shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe për prodhim/shitje narkotikësh, ndalohet 41-vjeçari.

Si rezultat i kontrolleve të bazuara te informacionet e inteligjencës policore, Forca e Posaçme Operacionale dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin e shpallur në kërkim D. M., 41 vjeç.

Për të, Gjykata e Durrësit ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjithashtu, nga kontrollet për ekzekutimin e urdhrit, në muajin korrik 2024, Policia gjeti në banesën e 41-vjeçarit, 1 armë zjarri pistoletë që posedohej pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.