Një koncert që fliste vetëm shqip, dedikuar festave të nëntorit, ishte aktiviteti kulturor i përgatitur nga Orkestra Frymore e Durrësit, Kori i të rinjve si dhe solistët e kërcimtarët e qytetit.
Në morinë e aktiviteteve kulturore të organizuara në Durrës në prag të festave kombëtare më të rëndësishme të kalendarit zyrtar, koncerti “Këngët e vendit tim” synonte të sillte para publikut disa nga perlat më të bukura të muzikës shqiptare, që janë kënduar nga zërat më brilantë në skenat e festivaleve tona.
Ky koncert ishte një ogur i mirë edhe për zërat e rinj të qytetit, si për ata që emocionet e skenës i kanë provuar më parë, si dhe për ata që kaluan me sukses “provën e zjarrit” me artdashësit durrsakë.
Për herë të parë, pjesë e korit të fëmijëve u përzgjodhën të rinj e të reja të talentuara që kaluan në filtrin përzgjedhës të audicioneve të hapura, që u organizuan në fund të muajit tetor.
M.B.