Vangjush Dako është thirrur përsëri në SPAK këtë të hënë, por këtë radhë për një çështje tjetër. Ish-kryetari i bashkisë Durrës është marrë në pyetje në lidhje me hetimet që zhvillohen ndaj ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja.

I shoqëruar nga oficerët e policisë, pasi prej muajsh mbahet në arrest shtëpie, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako mbërriti në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë shpjegime dhe përgjigur pyetjeve për afro 40 minuta.

Nga hetimet e SPAK rezulton se njerëz të krimit të organizuar kanë ndikuar tek zyrtarë socialistë në Durrës që emri i Jurgis Cyrbjas, të ishte në listë të sigurt të kandidatëve për deputetë të qarkut Durrës për zgjedhjet Parlamentare të 2021. Dhe në fakt emri i Çyrbjes u rendit i pesti në listë, diçka që ran ë sy menjëherë, sidomos në kampin e të majtëve në Durrës.

Në komunikimet e mes të shumëkërkuarit Altin Hajri dhe Jurgis Cyrbja si dhe mes ish-deputetit dhe Edmond Kocit (i njohur ndryshe si Mond Çekiçi) i ekzekutuar në 2021 përmendet dhe emri i Dakos. Për këtë arsye, ish-kryebashkiaku dha shpjegime para hetuesve për afro 40 minuta. Në dalje të SPAK ai tha se nuk mund të bënte asnjë koment.

Jurgis Cyrbja po hetohet nën masën e arrestit me burg për korrupsion në zgjedhje, përkrahje të autorit të krimit si dhe nxerrrje të sekretit shtetëror, pasi dyshohet të ketë informuar të shumëkërkuarin Altin Hajri, i cili është në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës si dhe pjesëtarët e klanit kriminal Farruku për aksionet e policisë.