Teuta ka siguruar fitoren në kampionat pas më shumë se dy muajsh, duke mundur 2-1 Egnatian për t’u larguar nga zona e rrezikshme e klasifikimit.
Skuadra durrsake ka gjetur golin që në startin e ndeshjes me anë të Boçit dhe më pas dukej se po kontrollonte me shumë rregull ofensivat e rrogozhinasve. Goli i Tomës në pjesën e dytë u duk se mbylli diskutimet,. Por gjithçka u hap nga goli i Bakajoko, pas shumë rastesh të shpërdoruara para portës, ndërsa shansi i artë për barazimin e Egnatias erdhi në minutat e fundit kur fitoi një penallti falë ndërhyrjes së VAR-it.
Por Zejnullai gaboi nga pika e bardhë duke fluturuar topin mbi traversë dhe kështu, Teuta iu gëzua tre pikëve që e largojnë nga zona e rrezikshme e klasifikimit.
Martini pas suksesit ndaj Egnatias: Barazimi do ishte katastrofë, më vjen inat për penalltinë
Trajneri i Teutës, Edi Martini, i është gëzuar një suksesi të rëndësishëm ndaj Egnatias, duke theksuar se skuadra e tij kishte luajtur ndryshe për të siguruar një fitore që ju mungonte prej kohësh.
“E filluam mirë, shënuam shpejt. Ndoshta edhe ngarkesa e pikëve bëri që duke filluar te unë i pari dhe të gjithë të tjerët, bëmë të mos presonim lart si në ndeshjet e tjera. U ruajtëm, sakrifikuam shumë, sidomos në fazën mbrojtëse, ndonëse Egnatia ka ekip që po e le të luash të dëmton. U munduam maksimalisht nga minuta e parë në të fundit, lamë hapësira për të goditur në kundërsulm.
Sot kishim mungesa se nuk do i linim aq poshtë të zbritnim, në 5 minutat e fundit duhet të kemi më shumë personalitet. Këto emocione që përjetuam në fund nuk ishin të nevojshme, nënvlerësime dhe mospërqendrim. Barazimi do ishte katastrofë, ishin pikë që na duheshin me patjetër. Nuk ishte loja që jemi mësuar të bëjmë, duhet të ishim më të kujdesshëm sot. Më vjen inat që pësuam gol dhe shkaktuam atë penallti në fund.
E nisëm me 5-4-1, por doja që linjat anësore t’i bllokoja, sidomos kur u fut Kasa. Boçi ishte i gjashti në fazën mbrojtëse. Ata kanë cilësi shumë, unë nuk kisha thellësi, na mungonte Arifi e Nasr, kundërsulmin do ta kisha më vrastar sot me ta. Por sakrifikuam e vuajtëm, ekipi bëhet ekip kur vuan. Zoti na e shpërbleu me atë penallti dhe i përgëzoj djemtë.
Ishte ndeshja e parë që luan Simeu pas riaftësimit jashtë. Na ndihmoi shumë, paçka që nuk është në nivelin e tij më të mirë. AI është lider në repartin e mbrojtjes, kontrollon lojën, flet shumë, është një lider për skuadrën tonë.
Dy herë Xhemajli na rrezikoi të shënonte, kanë shtatlartësi, një nga ata e dinim që do ishte i lirë, nuk mund të markonim një kundër një. Por Zoti na kompensoi sot, se kemi bërë lojëra më të mira e nuk morëm pikë, sot luajtëm pak më dobët, por ishim më të vendosur dhe ia dolëm të fitojmë”, -tha Martini.