“Dialog me ngjyrat” titullohej takimi me arstistë dhe krijues dedikuar skulptorit të merituar Sabri Tuçi në qytetin e Durrësit, ku morën pjesë përfaqësues të artit figurativ si dhe drejtues të qendrës kulturore dhe galerisë së artit të qytetit.
Idriz Balani, skulptor dhe njëkohësisht ish-student i Sabri Tuçit, thotë se aktiviteti zhvillohet me rastin e 109-vjetorit të lindjes së artistit dhe vjen si një risi për artistë që kanë dhënë kontribut të çmuar. Balani thotë se për shkak të dënimit nga regjimi i kohës dhe biografisë së tij, Sabri Tuçi nuk është vlerësuar sa duhet.
“Ka realizuar mbi 180 vepra arti kryesisht në mermer, gur, gips e beton, të vendosura në shumë vende të Shqipërisë në ato vite, por për fat të keq për shkak të biografisë sot nuk kemi asnjë vepër të vendosur, por kemi një numër të madh veprash pranë galerisë së Durrësit dhe dy vepra mjaft me vlerë në Galerinë Kombëtare siç janë “Busti i gruas” edhe “Busti i mësuesit Puka”. Emri i Sabri Tuçit është i madh, i cili vetëm me “Portretin e gruas” në Galerinë Kombëtare, e ka stampuar emrin e vet dhe për këtë qëllim i është vënë emri “Skulptor i Merituar”, shprehet Balani.
Florina Shani, një tjetër skulptore e qytetit thotë se është e rëndësishme zhvillimi i këtyre aktiviteteve që edhe brezat e rinj të njihen me aktivitetin e artistëve të vjetër, në mënyrë që edhe nxënësit e shkollës “Jan Kukuzeli” të njihen me veprën dhe krijimtarinë e tyre.
“Kemi shumë nevojë për informacione sidomos për brezin e ri që të dinë se kush janë vlerat e artit dhe ata që i nxitën këto vlera në Shqipëri”, thotë Florina Shani.
Qendra kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka nisur zhvillimin e aktiviteteve për artistë të qytetit duke shfrytëzuar përvjetorët e lindjes së tyre dhe duke ftuar edhe nxënës të shkollës artistike “Jan Kukuzeli”.
Kush ishte Sabri Tuçi
Ai njihet si skulptor realist, diku-diku me një frymë neoklasike. Në vitin 1992, i akordohet titulli “Skulptor i merituar”, pas vdekjes.
Atij i njihet merita se ishte një nga nismëtarët e hapjes së galerisë së arteve figurative të Durrësit dhe përgjegjësi i parë i saj. Me punimin e tij për mbrojtjen e diplomës në Itali, ku u paraqit me skulpturën “Djaloshi shqiptar” mori vlerësime të shumta, aq sa arritën ta quanin Fidia shqiptar, ndërsa për sa i përket vlerave artistike të veprës, skulptura u konsiderua nga profesorët e tij si “Davidi shqiptar”, duke bërë paralelizmin me skulpturën e famshme të Davidit të Mikelanxhelos.
Përveç çmimeve të ndryshme të marra në Shqipëri ai është nderuar me medaljen e argjendtë në Bienalen e Aleksandrisë të mbajtur në Kajro të Egjiptit.





