“Kërcimtari fluturues”, ashtu siç e thërrisnin kolegët, por edhe pasardhësit e valles shqipe, Rexhep Çeliku, do të vijë të mërkurën përmes një koncerti homazh, nga Ansambli Popullor i këngëve dhe valleve.
Valltari ka qenë solist i parë në mbi 200 valle, teksa një pjesë e tyre do të interpretohen nga trupa artistike e Ansamblit duke rijetësuar edhe njëherë krijimtarinë e artistit.
“Është një shfaqje e ndërtuar në formën e një mbrëmje gala, ku përveç numrave artistik, valle kryesisht, të cilat janë ndarë në dy pjesë në krijimtarinë e profesor Çelikut dhe në historinë e jetës së tij”, tha Sokol Marsi, drejtor i Ansamblit Popullor.
Kontributi i Rexhep Çelikut në artin shqiptar, ka lënë gjurmë të thella, e sot për të rinjtë e Ansamblit mbetet përgjegjësi interpretimi i valleve të tij.
“Nuk kemi patur mundësi të punojmë me profesor Rexhepin, por me atë që na kanë treguar profesorët tanë është një nder i madh të interpretojmë vallet e tij”, deklaroi Rei Berisha, valltar
“Është një shfaqje që ne e presim prej kohësh, pasi nuk është vënë asnjë koncert i tillë që nga ndarja nga jeta e Rexhep Çelikut. Kështu që është shumë përgjegjësi për ne”, u shpreh valltari Franko Xhaferi.
Kjo shfaqje ndërthur vallet me muzikën e tabanit dhe kjo e fundit do të vijë e interpretuar nga zërat më të njohur të skenës së muzikës popullore.
“Rexhepi nuk ishte vetëm artist por ishte mbi të gjitha një njeri i madh. Ai dinte të kujdesej për trupën artistike, jo vetëm për valltarët, por dhe për ne këngëtarët. të gjithë së bashku bënim këtë Ansambël të madh”, nënvizoi këngëtarja Irini Qirjako.
Premiera “Kërcimtari Flutures”, do të ngjitet për të gjithë artëdashësit nesër në mbrëmje në skenën Tetarin e Operës dhe Baletit.