“15 Ditë Prilli”, një dramatizim i romanit me të njëjtin titull të autores Anisa Markarian vjen premierë absolute në teatrin e Durrësit “Aleksandër Moisiu” në 4 net (datat 1-2-3 -4 mars ora 19:00).
Nën shkopin magjik të regjisores Driada Dervishi, një grup aktorësh të talentuar, nga më të dashurit të skenës shqiptare, do t’u japë frymë e zë personazheve të romanit, që jetojnë 15 ditë të pazakonta në fundin e rënies së sistemit.
Autorja Markarian e konsideron këtë vepër si një detyrim moral për të transmetuar kujtimet dhe përvojat e saj te brezat e ardhshëm, ndërsa regjisorja Driada Dervishi e cilëson si produksion të jashtëzakonshëm për shkak edhe të pjesëmarrjes së 12 aktorëve dhe njëkohësisht një sfidë të veçantë për të.
Ngjarjet tregojnë 15 ditët e festimit të ditëlindjes së udhëheqësit të lavdishëm, i cili zhvillohet gjatë një periudhe dyjavore, duke përshkruar ngjarje të ndryshme që ndodhin brenda kësaj periudhe. Teksti është një gërshetim i situatave sa dramatike, aq groteske e me nota humori që e bëjnë shikuesin të buzëqeshë.
Aktoret Sanie Hoti, Mimoza Marjanaku dhe Suela Bako e konsiderojnë si shfaqjen më të madhe dhe impenjative që është vënë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, me rreth 50 personazhe, e cila ka shumë për t’i ofruar publikut dhe nuk duhet humbur!
Ndiqni për më shumë prononcimet e regjisores Dervishi dhe aktoreve Hoti, Marjanaku dhe Bako dhënë për “DurrësLajm”.
Premierë absolute 1-2-3 -4 mars ora 19:00 teatri “Aleksandër Moisiu”
Regjisore: Driada Dervishi
Aktorët: Yllka Mujo, Hervin Çuli, Alesia Xhemalaj, Romir Zalla, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Sanie Hoti, Amos Zaharia, Adelina Muça, Xhuliano Brisku, Aleksandër Seitaj, Jaho Guma.
Kompozitore: Rona Castrioti
Kostumografia: Desantila Lika
Skenografia: Beqo Nanaj
Koreografia: Valentina Myteveli