“15 ditë prilli” është shfaqja premierë, që çeli zyrtarisht mbrëmjen e 1 marsit sezonin e ri teatror në Durrës.
Një dramë satirike e Anisa Markarian, ku luajnë 12 aktorë të mrekullueshëm duke performuar në skenë plot 50 personazhe.
Drama tregon 15 ditët e festimit të ditëlindjes së ish-udhëheqësit, i cili zhvillohet gjatë një periudhe dyjavore.
Vetë autorja shprehet e emocionuar, duke shtuar se ky është hapi i saj i parë në gjininë e dramaturgjisë.
Për regjisoren Driada Dervishi kjo përzgjedhje ka qenë një sfidë e veçantë, që përbën një nga produksionet më të vështira, por dhe më të mëdha të teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Ndryshimi i shumë personazheve brenda të njëjtës shfaqje ka qenë një punë e vështirë dhe një sfidë e vërtetë për trupën e aktorëve ku spikasin edhe emra të rëndësishëm të teatrit si Yllka Mujo, Hervin Çuli, Alesia Xhemalaj, Romir Zalla, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Amos Zaharia etj.
Pas pritjes së shkëlqyer nga publiku në fundjavë, “15 ditë prilli” do të vazhdojë të shfaqet në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu ” edhe në datat 3 e 4 mars në orën 19:00.