Ka përfunduar rikonstruksioni tërësor i galerisë së arteve pamore “Nikolet Vasia” në Durrës, një investim i cili ka përmirësuar cilësinë e kësaj galerie si nga ana teknike e funksionale, ashtu edhe nga ana estetike e vizuale.

Galeria “Nikolet Vasia”, që ndodhet në qendër të qytetit, ka pasur problematika të cilat përfshinin lagështinë, vizibilitetin, organizimin e brendshëm etj, për të cilat shpesh janë ngritur shqetësime nga komuniteti i artistëve durrsakë.

Bashkia e Durrësit vuri në dispozicion rreth 10 milionë lekë për rikonstruksionin e galerisë, ku u përfshinë disa ndërhyrje si: suvatimi, hidroizolimi i taracës, sistemi i ri elektrik, aspirimi dhe kondicionimi etj., pamje të të cilave përcjell “DurrësLajm” në videon më poshtë.

Pritet që të bëhet edhe inaugurimi i galerisë, e cila do të rihapë dyert për eventet e shumta artistike që zhvillohen aty.