Një mbrëmje poetike mes vargjeve të poetes Eva Esat Kacanja mblodhi të hënën në ambientet e teatrit “Aleksandër Moisiu” figura të kulturës dhe artit durrsak, dashamirës të poezisë dhe krijimeve letrare.
“Me u dasht” ishte libri që riktheu Eva Kacanjën pas 14 viteve mungesë, një rrëfim poetik dhe eseistik mbi ndjenjën më të thellë njerëzore – ‘Dashurinë’, pas edhe një suksesi që pati në panairin e librit në Tiranë.
“Ky është libri im i katërt. Vjen pas 14 vitesh mungesë. Ka qenë një rrugëtim i vështirë, por shumë i bukur. Surprizë është pjesëmarrja në panair. Libri aty u prit me shumë sukses, u shit, u komentua, u shkrua nëpër shtyp dhe kjo është shumë e rëndësishme për një autor që i ka munguar tregut për 14 vite”, shprehet Kacanja.
Që nga antikiteti e deri më sot, poetët e kanë përdorur dashurinë për të shprehur emocionet më të thella, për të eksploruar dimensionet e shpirtit njerëzor dhe për të gjetur kuptim në botën përreth, e pse autorja ka vendosur ta titullojë pikërisht “Me u dasht”?
“Libri “Me u dasht” e merr titullin nga një thënie e babait tim që e ka lënë amanet: me u dasht me njëri-tjetrin, me resepktu gjakun, familjen, çdo gjë që ka vlerë, çdo gjë që është e rëndësishme për ne në këtë jetë. Është shumë bukur që të ndjesh pranë vetes miqtë e tu, përkujdesjen e bibliotekës së qytetit, të teatrit “Aleksandër Moisiu”, të poetëve, gazetarëve, si dhe njerëzve që e duan artin e veçanërisht poezinë. Poezia është thelbi i shpirtit dhe mendoj që do jetojë me mua gjatë.”
Eva Kacanja, autore librash dhe mësuese e Gjuhës e Letërsisë prej vitit 1994, ka fituar çmime letrare në festivale të ndryshme poezish. Poezitë e saj janë botuar në antologji kombëtare dhe mbarëkombëtare, duke dëshmuar fuqinë që ajo ka në eksplorimin e fjalës dhe të vargut.