Mjeshtri Agim Faja u përkujtua në 86-vjetorin e lindjes në ciklin e radhës “Dialog me ngjyra” që organizohet nga Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Edhe tanimë që kanë kaluar 8 vjet nga vdekja e tij, Agim Faja vazhdon të jetë emblema e Shijakut, për njeriun e veçantë që ai ishte, si piktor dhe historian dhe për gjurmët që ka lënë në fondin e galerisë së arteve.

“Ai është emblema e qytetit të Shijakut, por në fondin e galerisë “Nikolet Vasia” ka një koleksion të një pjese të pikturave të Agim Fajës. E kujtojmë për të gjithë krijimtarinë që Agim Faja ka realizuar, por edhe si një illustrator i Abetares. Jetë të gjatë kujtimit të artistit Agim Faja”, thotë piktorja Alketa Tragaj, drejtoreshë e qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu”.

Me shumë emocion dhe krenari shprehet djali i tij Ardit Faja, për të cilin krijimtaria artisitike e Agimit ka lënë shenjën e tij të veçantë që çdo pikturë të njihet thjesht nga penelatat e artistit të madh.

“Është një gjë tepër e veçantë se këta janë autorë që kanë kontribuuar me veprat e tyre në fondin e galerisë arteve të Durrësit dhe përtej. Janë autorë të cilët i përkasin kulturës dhe artit në mbarë Shqipërinë duke filluar nga brezi si profesor Agim Shami, Skënder Kokoboba dhe më të vjetrit duke ardhur deri te brezi më i ri, ku është pjesë edhe im atë që sot ka një përvjetor.

Është një krijimtari e pasur, është një autor i veçantë që ka sjellë gjithnjë vepra autentike mbështetur në folklorin dhe zonën ku ai ka punuar dhe hulumtuar gjatë gjithë jetës së tij. Krijimtaria shtrihet në disa dekada, është marrë me ilustrime, piktura, fotografi dhe ka lënë shenjën e tij që çdo pikturë të njihet që nga penelatat e tij. Një gjë e rëndësishme dhe e veçantë është ilustrimi i Abetares, që ka ekzistuar për rreth 17 vite në sistemin shkollor. E gjitha flet për një punë shumë të madhe“, shprehet i biri.

Në mbi 50 vite karrierë artistike Agim Faja ka hapur mbi 11 ekspozita, të cilat kanë shëtitur në qytete të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Punimet e tij janë ekspozuar në Egjipt, Kinë, Algjeri, Turqi, Rumani, Kosovë, Francë, Itali e Gjermani, dhe një pjesë kanë mbetur atje në koleksionet private apo shtetërore.