Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Jola Hysaj ka reaguar në lidhje me kandidimin e saj në listë të hapur në Qarkun e Durrësit.
Hysaj shkruan në një postim në “Facebook” se ka marrë vendimin për të çuar përpara betejën e saj me pushtetin në listë të hapur.
Ajo theskon se kjo fushatë do të jetë tepër e vështirë pasi përball ka një regjim që sipas saj ka blerë heshtjen dhe varfërinë e shumë durrsakëve.
“E di që kjo fushatë është më e vështira që kam bërë ndonjëherë. Sepse ky regjim ka blerë frikën, ka blerë varfërinë dhe ka blerë heshtjen e shumë njerëzve. Por unë nuk pranoj të hesht! Nuk mund të hesht kur shoh se Durrësi po mbulohet nga betoni, ndërsa fshatrat mbeten pa ujë të pijshëm dhe ndriçim. Nuk mund të hesht kur shoh që rinia largohet çdo ditë, ndërsa pushteti tallet me të ardhmen e tyre. Nuk mund të hesht kur shoh që baballarët rrinë të përkulur nga shqetësimet dhe nënat lotojnë për fëmijët që detyrohen të marrin rrugën e emigrimit.”, shkruan ndër të tjera Hysaj.
Kujtojmë që Hysaj në Primaret e PD-së të 1 marsit në Qarkun Durrësit, arriti të sigurojë 116 vota.
Postimi i plotë:
Të nderuar bashkëqytetarë të Qarkut Durrës,
Prej 20 vitesh jam angazhuar në politikë me një parim të palëkundur: të mos bëj kurrë kompromis me padrejtësinë dhe të them të vërtetën ashtu siç është. E di që ndonjëherë ky qëndrim më ka bërë të dukem e ashpër, arrogante apo edhe “burrërore”. Por unë nuk kam hyrë në politikë për të qenë e pranueshme për të gjithë – kam hyrë për të luftuar për njerëzit që nuk kanë zë, për ata që nuk pranojnë të nënshtrohen për një vend pune, për një shërbim apo për një copë shprese.
Sot, kam marrë një vendim të rëndësishëm: të kandidoj në listën e hapur të Qarkut Durrës. Jo për karrige, jo për pushtet, por për të çuar përpara një betejë që është më e madhe se unë – betejën për dinjitetin tuaj.
E di që kjo fushatë është më e vështira që kam bërë ndonjëherë. Sepse ky regjim ka blerë frikën, ka blerë varfërinë dhe ka blerë heshtjen e shumë njerëzve. Por unë nuk pranoj të hesht! Nuk mund të hesht kur shoh se Durrësi po mbulohet nga betoni, ndërsa fshatrat mbeten pa ujë të pijshëm dhe ndriçim. Nuk mund të hesht kur shoh që rinia largohet çdo ditë, ndërsa pushteti tallet me të ardhmen e tyre. Nuk mund të hesht kur shoh që baballarët rrinë të përkulur nga shqetësimet dhe nënat lotojnë për fëmijët që detyrohen të marrin rrugën e emigrimit.
Zgjedhjet e 11 majit nuk janë thjesht për një deputet më shumë në Kuvend. Janë një referendum për të thyer frikën. Janë një betejë për drejtësinë, për mirëqenien dhe për të rikthyer shpresën që ky pushtet po përpiqet ta shkelë.
Unë nuk premtoj mrekulli. Por premtoj një gjë: Nuk do t’ju tradhtoj. Nuk do të hesht. Do të jem aty, në vijën e parë, për të thënë të vërtetat që shumë të tjerë nuk guxojnë t’i thonë.
Nëse besoni se Durrësi meriton më shumë.
Nëse besoni se Shqipëria nuk mund të vazhdojë kështu.
Nëse besoni se është koha për të pasur një zë të fortë dhe të pakorruptuar në Parlament…
Më 11 maj, votoni Jola Hysaj. Votoni Partinë Demokratike.