Kualifikim spektakolar i Teutës përballë Beitar Jeruzalem. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini, mposhti izraelitët me rezultatin e pastër 2-0, në sfidën e zhvilluar në “Niko Dovana”, të vlefshme për raundin e parë eliminator të Ligës së Europës, duke avancuar më tej.

Edhe pse Beitar ishte favorite në letër, djemtë durrsakë arritën të bënin një ndeshje të madhe, duke gjetur 2 herë rrugën e rrjetës me sulmuesit Blerim Krasniqi dhe Rubin Hebaj.

Pavarësisht përpjekjeve, miqtë nga izraeli arritën të rrezikonin shumë pak herë portën e Frashërit, kjo për meritë të skuadrës durrsake. Tashmë skuadra e Teutës duhet të presë datën 31 gusht për të mësuar kundërshtarin në raundin e dytë të Ligës së Europës.

FT: TEUTA-BEITAR JERUZALEM 2-0

Krasniqi 6′, Rubin Hebaj 87′

Për durrsakët ka nisur mirë kjo verë. Si fitues të Kupës së Shqipërisë përfituan nga FSHF-ja 50 milionë lekë (të vjetër), e më tej duke transferuar Sherif Kallakun te Lokomotiva e Zagrebit morën afro 150 mijë euro.

Me triumfin e ditës së sotme ndaj Beitar Jerusalem me rezultatin 2-0, skuadra e Teutës ka mbushur arkat me plot 690 mijë euro në total. Një buxhet i mjaftueshëm për të qenë të qetë në sezonin 2020-2021.