Nga 12 prilli deri më 30 shtator 2025, abacia historike e Shën Galganos, në Itali, do të presë një kryq spektakolar prej çelik inox shtatë metra të lartë dhe skulptura të tjera të artistit nga Durrësi me famë botërore, Helidon Xhixha, në një projekt artistik që bashkon artin, historinë, besimin dhe shpresën.
Projekti vjen në kuadër të “Jubileu 2025”, festa fetare ku Papa fton pelegrinët në Romë dhe falë veprave të artistit italo-shqiptar, abacia e njohur do të ndriçohet nga një tjetër dritë.
Skulptori i njohur nga Durrësi prezanton në abacinë e Sienës instalacionin “Luce Divina” (Dritë hyjnore), një vepër monumentale që bashkon spiritualitetin dhe modernitetin.
Vepra është e lidhur në mënyrë ideale me legjendën e Shën Galganos, kalorësit të kthyer në një vetmitar që nguli shpatën e tij në shkëmbin pranë kapelës Montesiepi aty pranë, një simbol i paqes dhe heqjes dorë nga lufta.

Instalacioni i kryqit dhe veprat e tjera të Xhixhës që do të ekspozohen në abacinë e Shën Galganos do të dialogojnë me arkitekturën gotike të vendit, duke krijuar një përvojë unike midis artit, historisë dhe spiritualitetit.

Xhixha u godit nga mistika e abacisë historike, një kishë gotike pa çati e ndërtuar në kodrat e gjelbra të Sienës.
Artisti e zgjodhi këtë sit për vlerën e tij të fortë simbolike ku ndërthuren dekadenca dhe rilindja, historia dhe moderniteti, besimi dhe arti, raportojnë mediat e vendit fqinjë.

Punimet e Xhixhës shfrytëzojnë dritën natyrale për të krijuar një eksperiencë mbrësëlënëse, duke i çuar vizitorët në një udhëtim nëpër art, histori dhe spiritualitet.
Inaugurimi do të kryhet të shtunën e 12 prillit në orën 16:30, do të jetë një aktivitet solemn i hapur për publikun, gjatë të cilit, të pranishmit do të mund të admirojnë jo vetëm veprat e artit të Xhixhës por edhe koncertin instrumental të Kristina Petrollarit në piano dhe Dorina Laro në violonçel, ku do të interpretohen pjesë klasike nga Faure, Beethoven, Chopin, Gluck dhe Piazzolla.