Netflix po zgjerohet me përmbajtje të reja live, por kjo risi mund të kthehet në një kurth për shumë përdorues, veçanërisht ata në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërsa ideja për të ndjekur shfaqje të drejtpërdrejta në Netflix duket tërheqëse, konsumatorët mund të përballen me gjoba të kripura nëse nuk janë të pajisur me një licencë televizive.

Sipas rregullave aktuale të TV Licensing, përdoruesit kanë nevojë për një licencë televizive për të parë çdo transmetim të drejtpërdrejtë, edhe nëse ai jepet përmes platformash si Netflix, Amazon Prime apo Disney+.

Tarifa aktuale për licencën është 174.50 £, dhe megjithëse kjo mund të duket shumë, gjoba për mungesën e saj është edhe më e lartë: deri në 1,000 £, dhe deri në 2,000 £ në Guernsey – pa llogaritur kostot ligjore dhe kompensimet e mundshme.

“Nëse zbulojmë se keni parë, regjistruar ose shkarkuar programe në mënyrë të paligjshme, mospagesa e licencës mund të çojë në ndëshkim financiar të menjëhershëm”, thuhet në faqen zyrtare të TV Licensing.

Në mënyrë tipike, përmbajtja on demand (me kërkesë) nuk kërkon licencë televizive. Por me hyrjen e përmbajtjes live, rregullat ndryshojnë – dhe shumë përdorues mund të mos jenë të vetëdijshëm për këtë.

Ekspertët paralajmërojnë që përdoruesit të kontrollojnë me kujdes për çfarë kanë nevojë për licencë për të shmangur penalizimet e panevojshme.