Me një dhimbje që i dridhej në zë dhe një zemër të copëtuar nga humbja, Flamur Sula, babai i 23-vjeçares Ilaria Sula, kërkoi drejtësi në fund të ceremonisë mortore të vajzës së tij në qytetin italian Terni.
“Ai duhet të kalbet në burg. Ne i thamë lamtumirën e fundit vajzës sime Ilaria, e cila tani është lart në parajsë. Ajo nuk e meritonte këtë fund sepse ishte me të vërtetë një fëmijë i artë, një engjëll”, u shpreh ai mes lotësh.
Sula shtoi më tej: “Shpresojmë që drejtësia italiane të mos na japë fjalë të kota, si falje.”
Ceremonia mortore e Ilarias mblodhi më shumë se 3 mijë njerëz në varrezat e Ternit, të cilët i dhanë lamtumirën e fundit të resë shqiptare që u vra brutalisht nga partneri i saj.
Edhe kryetari i bashkisë së Ternit, Stefano Bandecchi, reagoi me tone të forta:
“Ilaria gjeti një djall në rrugën e saj, një njeri të padenjë për t’u quajtur burrë.”
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Itali dhe Shqipëri, ndërsa familja e vajzës kërkon dënimin maksimal për autorin e këtij krimi të rëndë.