Beitari nuk është kundërshtari i ëndrrave, e megjithatë Emiljano Vila beson te kualifikimi. Mesfushori e ka të qartë se izraelitët janë të fortë, por i quan të kalueshëm.Numri 88 i durrsakëve tregon se skuadra është thuajse gati për ndeshjen e 27 gushtit. Nuk kishte si të mos fliste edhe për rinovimin e kontratës, por edhe për merkaton. Ai mendon se përforcime duhen ende, e megjithatë duhet shmangur “fryrja”.

Emiljano, si kanë qenë këto 8 ditë përgatitje në Pukë?

Punuam në kushte vërtet të mira dhe mbi të gjitha me temperatura normale. Puka nuk e njeh të nxehtin e Durrësit. Po përgatitemi 100% me përkushtim dhe me nga dy seanca në ditë. Gjendja në ekip është e mirë dhe e rëndësishme është që nuk kemi dëmtime.

Zhvilluat edhe një miqësore, sa ju shërbeu?

Kjo miqësore u zhvillua për të parë kondicionin fizik të lojtarëve. Kemi kohë mjaftueshëm përpara për t’u përgatitur ashtu si duhet për Beitarin. Deri në ndeshjen e Ligës së Europës jemi të bindur se do të jemi gati.

Sa informacion keni për kundërshtarin dhe kë shihni si lojtarin më të rrezikshëm të tyre?

Me shortin jemi disi të kënaqur, edhe pse nuk është ky kundërshtari më i mirë i mundshëm. Gjithë këtë kohë e kemi shfrytëzuar për ta studiuar Beitarin. Kundërshtari ka 3-4 pika shumë të forta, por e shoh si një ekip të kalueshëm. Ne do të japim maksimumin tonë në fushë për të shkuar në raundin tjetër.

Mendoni që ju shtohen shanset nga fakti që luhet me ndeshje teke?

Unë e thashë, me aq sa e kemi studiuar kundërshtarin, besojmë se është një ekip i kalueshëm. Por kjo nuk do të thotë kurrsesi se do ta nënvlerësojmë, por as ta mbiverësojmë. Duhet të bëjmë lojën tonë, të futemi në fushë për të marrë një rezultat pozitiv dhe të tentojmë kualifikimin.

A keni një plan konkret për 27 gushtin?

Synimi i parë është të shënojmë sa më shpejt, por dhe të rikthejmë lojën e mirë. Besoj se në momentin që rikthejmë lojën e mirë, rikthejmë edhe fitoret dhe rezultatet pozitive.

Nëse nuk ia dilni, do ishte zhgënjim?

Ne në çdo takim hyjmë për të fituar dhe Beitar nuk bën përjashtim. Ecuria jonë nuk na bën aspak euforikë, përkundrazi, na motivon për të punuar më shumë, për të testuar limitet tona dhe për të bërë akoma më mirë. Ka gjithmonë vend për përmirësim. Pa dyshim, përballë izraelitëve duam të fitojmë dhe për këtë duhet të punojmë fort.

Cila është arsyeja që rinovuat dhe për një sezon me Teutën?

Arsyeja? Jam në shtëpinë time dhe kam hedhur hapat e parë të karrierës. Teuta është ekipi që më ka dhuruar shumë kënaqësi dhe emocione. Unë e ndiej veten durrsak dhe do bëj ç’është e mundur për Teutën dhe sportdashësit durrsakë.

Mendoni se Teuta ka ende nevojë për afrime gjatë kësaj merkatoje?

Pretendimet tona do të jenë të mëdha. Nuk duhet të shohim ekipet kundërshtare, sepse diferencat në kampionatin shqiptar janë shumë të vogla. Shpresoj të bëjmë përforcimet e duhura nëse ka nevojë skuadra. Fryrja nuk na duhet. Na duhen vetëm përforcime të mirëmenduara. Kështu do e kemin rrugën të hapur drejt sukseseve të mëdha.