Tre persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, pasi dyshohet se kanë shitur bileta për ndeshjen e futbollit “Shqipëri–Serbi” në rrjetin social Instagram, me çmime disa herë më të larta se ato të përcaktuara nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Pas hetimeve, autoritetet identifikuan dhe ndaluan shtetasit L. M., 34 vjeç, A. T., 23 vjeç dhe I. L., 24 vjeç. Ndërkohë, shtetasi E. Sh., 25 vjeç dhe një 16-vjeçar janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Manipulimi i tregut” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për vijimin e hetimeve.