Me mbi 80 portrete të punuara në stilin realist u prezantua piktori Fatmir Vasjari para artdashësve durrsakë, në ekspozitën e tij të katërt personale.
Të gjitha portretet ishin realizuar përgjatë viteve 2023-2025 duke dëshmuar kështu punën voluminoze që ka bërë artisti në telajo në 3 vitet e fundit.
Përveç portreteve të të mirënjohurve Moikom Zeqo, Mirush Kabashi etj binin në sy edhe portretet e familjarëve të Vasjarit, të punuara me mjaft dashuri. E përbashkëta e të gjitha tablove është se ato përcjellin fytyra plot dritë dhe shpesh të përngjajnë me një fotografi të pikturuar, aq besnik është treguar piktori për të përcjellë linjat e portretit.
Për mikun e tij të fëmijërisë, skulptorin e njohur Idriz Balani, kjo ekspozitë e Fatmir Vasjarit dëshmon gjithë përkushtimin e tij për pikturën.
Kjo nuk do të jetë e vetmja ekspozitë personale e Fatmir Vasjarit për këtë vit. Në vjeshtë, piktori durrsak synon të sjellë para artdashësve ekspozitën e radhës, në të cilën do të ekspozojë të gjitha natyrat e qeta punuar gjatë viteve të fundit.
M.B.





