E kthyer tashmë në një aktivitet të përvitshëm kulturor, në përfundim të një viti të suksesshëm shkollor, ekspozita e nxënësve të shkollës jopublike “Mihal Ekonomi” shpalosi aftësitë më të mira të talenteve të reja në pikturë.
Me.mbi 110 tablove në akrilik, akuarel, skica etj nxënësit e kësaj shkolle dëshmuan edhe njëherë përkushtimin e tyre në fushën e artit. Përgjatë një viti, ata kanë punuar fort, së bashku me mësuesen e tyre Edmonda Rotani, të sjellin në ekspozitën “Kur ngjyrat flasin” tablotë më të bukura, që shprehin më së miri botën e tyre fëminore dhe jo vetëm.
Për piktoret dhe piktorët e rinj, vizatimi dhe piktura janë një mundësi më shumë për të shprehur fantazinë dhe imagjinatën e tyre përmes artit, dhe njëkohësisht janë hapat e tyre të parë të sigurt që ata hedhin për të përzgjedhur në të ardhmen profesionin që do të ndjekin në vitet e rinisë.
Përveç tablove personale, kishte nxënëse që kishin punuar edhe në tablo kolektive, siç ishte kjo e realizuar nga Amber, Amel dhe Tea. 3 shoqe të ngushta, që miqësinë e shprehin dhe përmes artit.

Një sfidë artistike e kaluar me sukses për të gjithë fëmijët pjesëmarrës, që edhe pse mbase nuk do të bëhen piktorë në të ardhmen, lidhja e ngushtë që kanë krijuar me artin do t’i shoqërojë gjithë jetën.
M.B.





