Një tjetër natë magjike vere në amfiteatrin e Durrësit, por këtë herë me muzikë klasike.

Në këto ditë të fundit të qërshorit, Orkestra e Harqeve Durrës solli për adhuruesit e muzikës klasike një koncert me pjesë nga kompozitorë të njohur shqiptarë dhe të huaj.

Mes pjesëve mjaft të njohura të klasikëve të famshëm si Tchaikovsky, Elgar etj, spektatorët pattën mundësi të shijonin premierë veprën “Vals fantazi” të kompozitorit durrsak Ylli Ramzoti, që rrëmbeu duartrokitjet e publikut.

Alketa Tragaj, drejtoreshë e QK-së: “Sot në amfiteatrin e Durrësit kemi një mbrëmje klasike me Orkestrën e Harqeve, një mbrëmje ku janë të ndërthurura periudhat kohore duke nisur nga klasikja me klasikët si Tchaikovsky, Elgar etj tek bashkëkohorët si Bernstein”.

Grid Kalaja, dirigjent: “Kemi një repertor të larmishëm, nga muzika e filmit, klasikët, por edhe pjesë shqiptare të të gjitha llojeve. Kemi kompozitorin durrsak Ylli Ramzoti. Janë shumë pjesë të orkestruara nga i nderuari Moni Kuriçi”.

Ylli Ramzoti, kompozitor: Është kënaqësi e madhe për mua, që Orkestra e Harqeve “Aleksandër Moisiu” e Durrësit do të luajë një pjesë timen premierë, e cila quhet “Vals fantazi”. Kjo vjen pas shumë veprave të tjera që unë kam shkruar për këtë formacion”.

Olta Juba,soprano: “Ndihem si në shtëpi dhe për më tepër jam shumë e lumtur që sonte do të performoj me një pjesë shqiptare, këngë arbëreshe, që është orkestruar nga Moni Kuriçi”.

Megjithëse janë krijuar për t’u ekzekutuar në ambiente të mbyllura, interpretimi i këtij repertori në skenën e hapur të amfiteatrit antik dhe nën dritën e hënës dhe yjeve në qiell krijoi tek të pranishmit një atmosferë magjike, që vetëm tingujt e muzikës së mirë dinë ta krijojnë.

M.B.