Kapiteni Blerim Kotobelli ka premtuar se Teuta do të rikthehet sezonin e ardhshëm edhe më e fortë. Këtë edicion, Teuta nuk arriti të fitonte asgjë. As Europën s’e arriti dot. Kotobelli shprehet se ky ishte një kampionat për t’u harruar dhe tashmë synimet janë për t’u ringritur.
Si do ta komentonit sezonin që sapo u mbyll?
Ishte një sezon i vështirë. Të gjithë kundërshtarët ishin të fortë, por sezoni ynë ishte disi i pafat, si në kampionat, ashtu edhe në Kupë. Gjatë këtij, sezoni bëmë disa gabime në ndeshje specifike, por ajo që nuk i mungoi Teutës, e cila është edhe në ADN-në e saj, mbetet sakrifica dhe urtësia. Ne nuk jemi kryeneçë. Dhe sezonin e ri do të kërkojmë të rikthehemi fuqishëm.
Çfarë presim nga Teuta në sezonin e ri?
Besoj se do të jenë ndeshjet e kampionatit që do të tregojnë nëse kjo Teutë që do të bëhet do të jetë më e fortë se ajo e vitit të kaluar. Duhet të kemi parasysh se ekipi është pothuajse i njëjti. Besoj që me afrimet do të jemi edhe më të fortë.
Si ishte ky sezon në aspektin personal?
Besoj që ka qenë sezoni i mirë për mua, por tanimë me një ecuri të mirë rikuperuese. Për sezonin e ri do të jem pranë ekipit për të dhënë kontributin tim. Viti i kaluar ishte sezoni im më i qëndrueshëm. Do të jap më të mirën. Nëse jam i gatshëm për çdo ndeshje, jam 100 përqind. Gjithmonë punoj fuqishëm për të arritur sukses dhe për të ndihmuar ekipin të fitojë.
Çfarë note do i vendosni Teutës në sezonin që sapo u mbyll?
Nota për Teutën, është 8. Nisëm një sezon shumë të dobët, por bëmë një mbyllje të jashtëzakonshme, ku asnjëri nuk besonte që ne mund të arrinim edhe Kupat e Europës. Ato pikë të lëna disa javë më parë, na hoqën atë mundësi për të kapur atë objektiv.





