Partia Demokratike e akuzon Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor në krye të së cilës është Blendi Gonxhe, si ndër drejtoritë më të korruptuara.
Zëdhënësesja e selisë blu, Ina Zhupa, thotë se një fakt i tillë është pranuar edhe nga ministrja Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama, sepse fitimet, siç raporton media, janë mbi 300 milionë lekë në muaj vetëm nga patentat.
Përmes një postimi në Facebook, Zhupa i është drejtuar publikisht me disa pyetje drejtorit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhes, të cilin e akuzon për korrupsion, konflikt interesi dhe ryshfet.
Ajo e akuzon Gonxhen se ka marrë disa kategori të patentave për një muaj, pa shkuar asnjëherë në kurs dhe pa bërë asnjë testim në të vërtetë, vetëm duke qenë drejtor.
Deklarata e plotë
Blendi Gonxhe është ndër të parët zyrtarë që i vesh vetës cilësi të cilat nuk i ka: i pastër, i ndershëm, i pakorruptuar. Është krejt e kundërta e këtyre.
Drejtoria e drejtuar prej tij është ndër më të korruptuarat në administratën shtetërore dhe pranohet si e tillë nga Belinda Balluku dhe Edi Rama, sepse fitimet, siç raporton media, janë mbi 300 milionë lekë në muaj vetëm nga patentat. Ajo që e shquan Blendi Gonxhen është babëzia. Dhe këtu do të ndalem sot, tek babëzia e Blendi Gonxhes për të patur gjithçka, sa më shpejt.
Kam sot disa pyetje publike për Drejtorin e Përgjithshëm të Transportit Rrugor të Shqipërisë, Blendi Gonxhe. Duke qenë se është i ndjeshëm në këto çështje, shpresoj të përgjigjet shpejt dhe me përgjigje sa më të shkurtra, sepse edhe pyetjet janë fare të thjeshta.
Për të sqaruar qytetarët që e paguajnë me taksat e tyre:
– Nga data 11.05.2020 deri në 16.06.2020 si drejtor i patentave a ke marr ti disa kategori të patentave pa shkuar asnjëherë dhe pa bërë asnjë testim në të vërtetë?
– Nëse ke ndjekur një kurs, si quhet autoshkolla që keni qenë? Ku e ka vendodhjen? Si quhet instruktori?
– Çfarë ngjyre kishte mjeti me rimorko, apo mjet transporti për 16 pasagjer?
– A mos të duhen këto kategori për licensat për kompaninë tënde të transportit?! Apo thjesht ti kesh meqë je drejtor aty?
Drejtori i patentave që merr kategoritë e patentave kur është në detyrë është si një dekan i një fakulteti që futet bën edhe një master ta ketë ndërkohë që është dekan!!!!
Në pritje të përgjigjeve të Gonxhes së Ballukut, po përpiqem të arsyetoj cila shkelje është më e rëndë shpërdorimi i detyrës, konflikti interesit apo rryshfeti…





