Nga nesër, e shtunë 12 korrik, në portin e Durrësit nisin lundrimet e dyfishta të trageteve që lidhin dy brigjet e Adratikut.
Këtë fundjavë, pritet që fluksi i pasgjerëve që udhëtojnë nga dhe drejt portit të Durrësit të jetë i përqendruar kryesisht ditën e shtunë, që do të jetë e vetmja ditë me lundrimet të dyfishta. Ndërkohë, javën e ardhshme do të jenë 4 ditë me intensitet lundrimi tragetesh Durrës-Bari dhe anasjelltas, bën të ditur për “DurrësLajm”, kapiteni i portit të Durrësit, Tauland Allka.
Në korrik pritet mbërritja në Durrës e shtetasve nga Kosova që jetojnë dhe punojnë në perëndim, ndërsa muaji gusht përkon me kthimin në atdhe të bashkëatdhetarëve tanë. Autoritetet portuale po marrin të gjitha masat për të përballuar dhe përpunuar në kohë sa më të shpejtë udhëtarët dhe automjetet që do të kalojnë përmes kësaj pike kufitare. Pritet që këtë fundjavë të jenë 26 sportele në punë.
Duke nisur nga muaji korrik linja Durrës-Ankona dhe anasjelltas ka lundrime të përditshme.
Gjatë periudhës janar-qershor 2025, nga/drejt Portit të Durrësit udhëtuan 241,490 pasagjerë dhe 104,212 automjete.
Të dhënat e Autoritetit Portual Durrës tregojnë një rritje prej 6% të hyrje-daljeve të udhëtarëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ndërkohë që periudha në vijim pritet të regjistrojë shifra edhe më të larta.
M.B.





