Premiera e shfaqjes “Nga errësira në dritë” e ktheu amfiteatrin e Durrësit në një skenë të hapur, ku antikiteti i monumentit kombinohej më së miri me artin modern.

Trupa e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën drejtimin artistik të Edi Blloshmit solli tri vepra koreografike me autorë të mëdhenj botërorë dhe shqiptarë, duke i dhuruar publikut të pranishëm një premierë pak ndryshe nga ato që janë interpretuar në skenën e amfiteatrit. Tri pjesë të ndryshme me një emërues të përbashkët.

“Kjo mbivendosje e një arti modern me te perfomanca botërore në një vend kaq shumë të lashtë që lashtë që mund ta quajmë një nga emblemat tona të kulturës, lashtësisë dhe të trashëgimisë sonë. Nuk ka gjë më të bukur se sa kur arti modern krijon një raport me të shkuarën dhe jo të jemi ose me të shkuarën, ose me të ardhmen. Kombinacioni për mua është një arritje e madhe”, tha producenti Klod Dedja.

“Siç quhet edhe shfaqja është njerëzimi, është natyraliteti i njeriut se si vepron dhe si si kontakton me grupin, se si lidhen. Çdo pjesë është një finale”, tha Edi Blloshmi.

Eventi i parë i këtij formati erdhi si një udhëtim artistik, duke përcjellë emocione të veçanta për publikun vendas dhe të huaj.

Mes të pranishmëve mbrëmjen e së premtes në amfiteatër ishte dhe Silvio Gonzato, ambasadori i BE-së në vendin tonë.

“Eshtë një privilegj për mua të jem këtu në Durrës. E kam vizituar shpesh herë këtë qytet, por asnjëherë nuk kisha qenë brenda Amfiteatrit. Eshtë një mënyrë shumë e bukur për të prezantuar historinë dhe kulturën nëpërmjet një eventi si ky. Ne kishim javën evropiane në maj dhe këtë vit kemi vendosur që të mos zhvillojmë ne aktivitete, por t’ia lëmë këtë hapësirë artistëve shqiptarë në vendet që kanë lidhje edhe me kulturën evropiane.
I vlerësoj vërtetë performancat e artistëve shqiptarë që janë magjike, me shumë pak para, me shumë pak burime. Dhe janë aq produktivë, sa që e meritojnë mbështetjen që ju japim. Ndaj, jam shumë i lumtur që gjendem sonte këtu”– tha Gonzato.

Ky është edicioni i parë i festivalit të ri multidisiplinar TAMOM, që nisi nga Durrësi dhe synon të kthehet në një traditë në qytetin bregdetar dhe më gjerë.

M.B.