Kryetari i Partisë Demokratike Durrës, Ferdinand Xhaferaj, doli paraditen e sotme në një konferencë për shtyp për të denoncuar punimet që po realizohen në mes të sezonit turistik në rrugën “Egnatia”.
“E vetmja evidencë dhe instrument që i lëviz gjërat në bashkinë Durrës është korrupsioni”,- tha kreu i PD-së.
Sipas Xhaferajt, investimi po realizohet në mënyrën dhe momentin e gabuar, ndërsa nënvizoi se punimet për zgjerimin e trotuareve dhe ngushtimin e rrugës janë kthyer në makth për qytetarët dhe burim aksidentesh. Në të njëjtën kohë, kryetari i demokratëve durrsakë nënvizoi se rruga po bëhet pa studimin e duhur dhe pa u konsultuar paraprakisht me qytetarët.
“Në këtë rrugë që ju po shikoni, punimet po bëhen pa studim. Kjo është një rrugë që po bëhet pa konsultim me qytetarët dhe nuk po bëhet në mënyrën dhe kohën e duhur. Fluksi i automjeteve që e përshkojnë atë është shumë më i madh sesa ai i qytetarëve, por ndërkohë po zgjerohen trotuaret dhe po ngushtohet aksi. Rruga nuk po bëhet për t’i shërbyer qytetarëve, por zyrtarëve të bashkisë”,- tha ndër të tjera Xhaferaj.
Më tej, gjatë konferencës për shtyp, kreu i PD-së, nënvizoi se punimet në mes të sezonit turistik dëmtojnë ekonominë e qytetit dhe largojnë pushuesit.
“Një ditë më parë kam firmosur dosjen për ta dërguar në SPAK, për korrupsionin në rrugën “Pavarësia”, në zonën e Plazhit”,– deklaroi Xhaferaj.
Sipas PD-së së Durrësit, për të gjitha investimet që po realizohen në qytetin bregdetar janë afera korruptive, do të bëhen denoncimet respektive në SPAK.
M.B.





