Batuta, të qeshura pafund dhe një premierë që do të mbahet mend nga publiku. E tillë ishte komedia “Vendi më i humbur në Shqipëri”, e cila u shfaq mbrëmjen e së martës në amfiteatrin e Durrësit. Trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu”, nën regjinë e Andia Xhungës, solli një pjesë teatrale, që përmes gjuhës së satirës shpaloste shumëçka nga realiteti i zonave periferike të Shqipërisë, fshatrave të largët, banorët e të cilëve “luftojnë” për të mbijetuar mes sfidave të kohës dhe ndryshimeve të mëdha.
Vepra e shkruar nga autori francez Jean Pierre Martinez, në origjinal titullohet “Fshati më i humbur në Francë”, por vetë autori udhëzon që kjo vepër, kudo që të vihet në skenë, të përshtatet me kulturën vendase, me traditën, problematikat dhe karakteret e vendit ku luhet. Komedia e regjisores Xhunga erdhi pikërisht në formën “alla shqiptarçe”, ku personazhet mishëronin disa nga karakteret më të spikatur në zonat rurale të Shqipërisë.
Për drejtoreshën e Qendrës Kulturore, Alketa Tragaj, kjo shfaqje teatrale në netët verore të korrikut është një mundësi më shumë për qytetarët dhe turistët për të prekur nga afër jetën kulturore në qytetin bregdetar, por njëkohësisht një sfidë edhe për atë vetë, pasi ka punuar skenografinë dhe kostumografinë e komedisë.
Në natën e parë, publiku kishte mbushur plot arenën e amfiteatrit dhe po kështu do të jetë edhe në dy netët e tjera, pasi biletat janë shitur të gjitha. Por kjo javë nuk është mundësia e vetme për artdashësit, pasi komedia do të shfaqet edhe në datat 21, 22 dhe 23 korrik të javës së ardhshme.
M.B.





