Një performancë e rrallë, nga ato që mund të shohësh vetëm një herë në jetë.
I tillë ishte interpretimi i artistit të njohur gjerman, Felix Kleiser, në instrumentin e kornos, në Konkatedralen Shën Luçia në Durrës mbrëmjen e së enjtes.
I shoqëruar në piano nga pianistja e mirënjohur kosovare Lirika Pula Kasapolli, artisti gjerman u bë pjesë e koncerteve të festivalit Chamber Fest Durrës duke sjellë para artdashësve durrsakë një repertor, që përfshinte disa nga kompozitorët më të njohur të muzikës klasike, si Schumann, Glière, Haydn, Strauss dhe Beethoven.
Ky koncert ishte një dëshmi e fuqisë që ka muzika për të bashkuar kulturat dhe për të sjellë artin e vërtetë në zemrën e qytetit bregdetar. Për artistin gjerman, pjesëmarrja në të është mjaft e rëndësishme.
“Kam qenë në Tiranë disa vjet më parë dhe së fundmi mora një ftesë për të ardhur në Durrës dhe kështu vendosa të vij. Nuk e dija që koncerti do të luhej në kishë, ndonjëherë është e vështirë të luash në mjedise të tilla, por është ide shumë e mirë dhe këtu më pëlqeu shumë ambienti. Akustika ishte e mrekullueshme gjithashtu. Pashë shumë njerëz entuziastë në këtë koncert dhe më vjen mirë që e shijuan atë. Unë që në vitet e hershme kam menduar të luaj në shkollë, të interpretoj në këtë vegël, të kaloj kohën e lirë duke u argëtuar, jo të bëhem një profesionist, por me kalimin e viteve, u desh shumë kohë në fakt që të arrij deri këtu, me durim dhe këmbëngulje”,- tha artisti gjerman.
Felix Kleiser, i njohur jo vetëm për virtuozitetin e tij por edhe për historinë e tij frymëzuese, solli në skenë një interpretim të jashtëzakonshëm që u duartrokit gjatë nga të pranishmit. I vlerësuar me një sërë çmimesh në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës, Kleiser, ashtu si dhe shumë artistë të tjerë evropianë u bënë pjesë e edicionit të XX-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, një event kulturor ky i kthyer në një traditë mjaft të bukur në qytet.
M.B.





