Ambientet e konkatedrales “Shën Luçia” në Durrës i bënë jehonë edhe njëherë tingujve të muzikës së përjetshme të disa prej kompozitorëve më të famshëm botërorë.

Në natën e fundit të edicionit të XX të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, drejtuesja artistike e tij, Nevila Kalaja përjetoi emocione disi më ndryshe, pasi këtë herë ishte në pozicionin që ajo preferon më së shumti, atë të instrumentistes.

Kuarteti i instrumentistëve Amir Xhakoviq, Nevila Kalaja, Besnik Yzeiri dhe Gjorgj Krroqi përcollën tek publiku i pranishëm magjinë shpirtërore që krijon muzika kur bashkohet me virtuozitetin e artistëve dhe spiritualizmin e vendeve të kultit.

Për 3 instrumentistët, pjesëmarrja e parë në këtë edicion jubilar është e një rëndësie të veçantë.

Pas një rrugëtimi të gjatë 20-vjeçar, “Chamber Fest Durrës” uli siparin e edicionit të radhës mes duartrokitjeve të shumta të publikut.

E ndërkaq, puna për edicionin e vitit të ardhshëm ka nisur tashmë.

M.B.